Vjedhja e pikturave në Korçë, rrëzohen akuzat ndaj ish-drejtorit të galerisë
Kanë kaluar rreth gjashtë muaj dhe asnjë person nuk është dënuar sa i përket skandalit të pikturave në Qendrën Kulturore Vangjush Mio në Korçë. Sot gjykata e këtij qyteti vendosi të lirojë nga çdo akuzë ish-drejtorin e galerisë, Vladimir Topi, me arsyetimin se ka përfunduar afati për të parashtruar faktet që vërtetojnë fajsinë e tij.
Në këtë mënyrë trupi gjykuese ka rrëzuar edhe masën e sigurisë arrest shtëpie për të.
Menjëherë pas këtij vendimi reagoi edhe vajza e piktorit Mio, Rozeta Mio, e cila ka thënë se ndjehet e zhgënjyer nga drejtësia, pasi priste të zbardhej e vërteta e pikturave të babait të saj.
Prokuroria e këtij rrethi kërkoi dënimin me dy vite burg për ish-drejtorin Topi, si dhe heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për dy vjet.
Topi akuzohej për shpërdorim detyre, në lidhje me skandalin e zhdukjes së 61 veprave të artit nga galeria ‘Guri Madhi’. Organi i akuzës thotë se është vërtetuar vjedhja e pikturave nga galeria e arteve jo nga persona të jashtëm, por nga persona të brendshëm, pjesa më e madhe e të cilave janë vjedhur gjatë vitit 2011. Ndërsa akuza kërkoi marrjen në shqyrtim edhe faktin që ish-drejtori Topi u ka krijuar kushte të favorshme personave për vjedhjen e pikturave.