E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS marshime deri në zgjedhjet e reja

04/02/2011  Kampi opozitar dhe mbështetësit e tij sot në protestë në katër qytete të vendit

Strategjia, e majta shtrin protestat në rrethe, për të kulmuar me një manifestim në Tiranë

Kampi opozitar nis aksionin e ri në funksion të zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme. Përmes një skeme të re protestash, e majta do të synojë që të detyrojë qeverisjen aktuale të largohet, duke u hapur rrugë në këtë mënyrë zgjedhjeve të reja për pushtetin qendror. Ky është qëndrimi i opozitës së bashkuar, i përforcuar edhe më shumë pas ngjarjeve në demonstratën e 21 janarit. Gjatë ditës së sotme ky kamp do të organizojë protesta në katër qytete në të njëjtin interval kohor. Opozita e Bashkuar do të zhvillojë sot në orën 14:00 protesta në Tiranë, Vlorë, Korçë dhe Lezhë. Ndërkohë burime pranë selisë rozë bënë me dije se pas këtij organizimi socialistët do të ftojnë sërish në tubime mbështetësit e tyre në të gjitha rrethet e vendit, për të kulmuar me një protestë të madhe në kryeqytet. Një organizim i tillë pritet të jetë më 20 shkurt, datë e cila përkon me ditën e demokracisë për vendin tonë. Megjithatë, ndalur në manifestimet që pritet të zhvillohen sot, mësohet se lidershipi socialist ka vendosur që ato të jenë të organizuara në formën e marshimeve për të përshkuar rrugët kryesore të qyteteve që janë përzgjedhur për të qenë qendrat ku do grumbullohen të gjithë protestuesit e majtë. Këto marshime, të cilat pritet të jenë krejtësisht të qeta, do të drejtohen nga deputetët e Partisë Socialiste sipas qarqeve përkatëse. Sa i takon lidershipit socialist, mbetet ende e pavendosur prania e kreu të PS-së Edi Rama, ndërkohë që konfirmohet se ai do të drejtojë protestën që do të zhvillohet në kryeqytet. Ndërsa kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi do të jetë i pranishëm në protestën e Vlorës. Ndalur në itinerarin që do të ndjekin protestuesit, mësohet se grumbullimi i tyre do të bëhet nëpërmjet marshimeve nga pikat hyrëse të qyteteve. Po kështu dhe protesta në Tiranë, së cilës pritet ti bashkohen mbështetës të opozitës nga Shqipëria e Mesme, do të marshojnë nga rrugët kryesore të kryeqytetit, nga do të jenë dhe ardhjet drejt tij, duke marshuar më pas në të gjithë bulevardin “Dëshmorët e Kombit” si dhe përpara selisë së Kryeministrisë.

Qëndrimi i PS-së

“Marrja peng e Parlamentit, çmontimi i parlamentarizmit, kërcënimi i shtetit ligjor dhe demokracisë, pengmarrja e institucioneve kushtetuese, korrupsioni qeveritar i pushtetarëve me bllok në dorë dhe varfëria e skajshme e çdo qytetari të zakonshëm është arsyeja e mjaftueshme për tu bashkuar nesër në orën 2 me protestën e qytetarëve në Tiranë, Vlorë, Lezhë dhe Korçë”, - ishte apeli që u drejtoi dje deputeti i PS-së Sajmir Tahiri të gjithë qytetarëve shqiptarë. Po në këtë linjë, ai shtoi se “Saliu do na ketë përballë në çdo rast, në Parlament dhe në rrugë. Rezistenca jonë paqësore do të vazhdojë deri kur Saliu të dorëzojë para drejtësisë gardistët që vranë qytetarët e pafajshëm, të kthejë në shinat e ligjit Policinë e Shtetit, të ndalojë përpjekjen për pengmarrjen e institucioneve kushtetuese dhe ti hapë rrugë zgjidhjes politike përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme.”

Kryetari i PSD-së

Skënder Gjinushi

“Tashmë kriza në Shqipëri ka marrë gjithë dimensionet e saj. Kemi një qeveri të vetërrethuar nga të gjitha institucionet, të cilat i ka deklaruar puçiste. Për të çuar deri në fund atë që kërkojnë shumica dërrmuese e shqiptarëve dhe që është në interes të të gjithë shqiptarëve, do të vazhdojmë protestat popullore prapë për të imponuar një zgjidhje politike, që është e vetmja mënyrë për të nxjerrë vendin nga kriza. Fjalën e fundit në demokraci e thotë populli”, - u shpreh kreu i PSD-së, Gjinushi, pas takimit që zhvilloi dje Opozita e Bashkuar. Sipas tij, populli shprehet me zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Nesër ka një shprehje tjetër, tepër masive, në katër qytete kryesore të revoltës dhe protestës popullore, për të kulmuar dhe më të mëdha në të ardhmen, për të kulmuar me zgjidhjen e krizës përfundimisht nëpërmjet votës së lirë”, - vuri në dukje kreu socialdemokrat lidhur me aksionin opozitar.

Kryetari i PLD-së

Spartak Ngjela

Kryetari i PLD-së, Spartak Ngjela, insistoi dje në dorëheqjen e kryeministrit Berisha dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. “E konceptojmë krizën në agravim të rëndë. Kriza sa vjen dhe ashpërsohet. E vetmja zgjidhje është jo përplasje, por zgjedhje të reja. Nesër kemi marshime dhe demonstrata në 3 qytete dhe në Tiranë. Mendojmë se nesër do të ketë pjesëmarrje të madhe për të kaluar në një stad të ri të protestave. Për herë të parë bëhen në të njëjtën orë tri demonstrata në tri qytete përveç Tiranës”, - vuri në dukje Ngjela pas takimit që krerët e majtë zhvilluan me aleatin e tyre kryesor, e pikërisht kreun e PS-së Edi Rama. Ngjela shtoi se “ky është stad i ri, kjo ishte ajo që vendosëm, duke menduar se homazhi i madh ka krijuar një optimizëm të brendshëm për një ndryshim cilësor në Shqipëri në funksion të demokracisë dhe lirisë së individit”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›