PS mbledh nesër Asamblenë Kombëtare
Partia Socialiste do të mbledhë nesër Asamblenë Kombëtare, e cila ka si qëllim kryesor thirrjen e kongresit të jashtëzakonshëm. Pasi mori fund procesi i ankimimeve, ku PS arriti me beteja ligjore që të merrte mandatin e nëntë në Fier, selia rozë pritet të nisë analizën për procesin zgjedhor. Kreu i PS-së, Edi Rama, ka thirrur Asamblenë Kombëtare, ku pritet të diskutohet gjerë e gjatë për zgjedhjet, rezultatin, hapat e mëtejshëm të partisë etj. Pjesë kryesore e zhvillimeve të asamblesë pritet të jetë fjala e kryetarit të selisë rozë, i cili ka demonstruar bindjen se Partia Socialiste dhe koalicioni i saj është fitues i zgjedhjeve, por mandatet u janë vjedhur nga pala tjetër. Duket se në këtë pikë ekzistojnë mendime të ndryshme. Anëtarë të kryesisë së PS janë shprehur kundër deklarimeve të kreut socialist se PS i ka fituar zgjedhjet. I pari që theu heshtjen ishte anëtari i kryesisë, Ben Blushi. Blushi deklaroi se Partia Socialiste duhet të pranojë rezultatin e zgjedhjeve dhe se duhet të hyjë në Parlament. Sipas tij, nuk duhet imituar opozita e Berishës, ndërsa nuk mund të zvogëlohet dimensioni i humbjes. Sa u përket arsyeve që sipas tij PS i ka humbur zgjedhjet, është mungesa e kauzës. Zërit të Blushit iu shtua ai i Arben Malajt, një tjetër anëtar i kryesisë. Malaj për herë të pari hodhi idenë e largimit të kreut socialist, Edi Rama, dhe kërkoi që të bëhej një garë e pastër mes konkurrentëve për këtë post. Pas këtyre deklarimeve ndërhyri ish-kryetari i Kuvendit dhe njëherësh një figurë me rëndësi në këtë parti, Servet Pëllumbi. Ai u shpreh se deklaratat e Blushit dhe të Malaj janë të nxituara dhe sipas tij duhet pritur rezultati. Më pas, anëtari tjetër i kryesisë, Andis Harasani, deklaroi se PS ka humbur zgjedhjet, por ai shprehte mirënjohje për reformimin rrënjësor të partisë nga ana e Ramës. Ka dhe zëra të tjerë si Namik Dokle. Ai është shprehur se Partia Socialiste nuk i ka humbur zgjedhjet dhe se kundërshtari, Sali Berisha, është fajtor për shkak të vjedhjeve me votat. Ndërsa një tjetër anëtare e kryesisë, Ermelinda Meksi, tha se ngjarjet në selinë rozë janë diversion i Berishës. Megjithëse për shkak të këtyre mendimeve e në një kohë kur rezultati tanimë është zbardhur, pritet që në mbledhjen e asamblesë së ditës së nesërme të ketë edhe debate e replika mes anëtarëve të saj. Ajo që tashmë është bërë e ditur, është se kreu socialist po përgatit një qëndrim zyrtar për zgjedhjet e një muaji më parë, dhe se do t‘i kërkojë asamblesë të thërrasë Kongresin e Jashtëzakonshëm të partisë, ku pritet që situata të jetë mjaft delikate.