Olldashi: Rama po rrezikon mandatet e PS-së
PD-ja nuk do të lejojë shkeljen e ligjit për tekat e kryesocialistit Edi Rama, i cili po rrezikon mandatet e deputetëve të PS-së. Ky është reagimi i ministrit të Punëve Publike dhe Transporteve gjatë një takimi me strukturat e PD-së në qytetin e Fierit. Para aktivistëve demokratë, deputeti dhe anëtari i kryesisë së PD-së, z. Olldashi, denoncoi përpjekjet e Ramës për dhunimin e institucioneve, duke i bërë të qartë se ligji do të veprojë me forcë, nëse sillet si një lider rrugaç. “Ajo që bën Edi Rama nuk është politike, është vagabondazh dhe ky njeri nuk është më një lider, por është një rrugaç. Askush nuk mund t’i imponohet një pushteti demokratik si ai që kemi ne sot, askush nuk do të lejohet. Ne kemi një forcë të pakrahasueshme përballë Edi Ramës, një forcë të pathyeshme dhe të parezistueshme dhe kjo është forca e ligjit”, - u shpreh deputeti dhe anëtari i kryesisë së PD-së. Sokol Olldashi gjatë takimit me strukturat e Partisë Demokratike në Fier vuri në dukje se ligji nuk do të shkelet për tekat e Ramës dhe se ai po mban peng edhe grupin parlamentar të PS-së. Sipas tij, ligji do të veprojë pas 6 muajsh. “Sigurisht që ne do të donim që PS-ja të vinte në Kuvend, por në qoftë se i gjithë grupi parlamentar i sotëm i PS-së ka vendosur të mbetet peng i interesave të Ramës, edhe mbi ta do të veprojë ligji, gjë që do të thotë që në përfundimin e 6 muajve kushtetues për marrjen e mandatit, ligji do të veprojë mbi ta”, - deklaroi ministri i Transporteve dhe i Punëve Publike, z. Sokol Olldashi.