PS nis protestat, KQZ vazhdon numërimin
Ndërkohë që Komisioni Qendror Zgjedhor i Shqipërisë po vazhdon numërimin e votave të kontestuara për kryetar të bashkisë së Tiranës, Partia Socialiste ka nisur protestat në shumë qytete të vendit, përfshirë Durrësin dhe Vlorën.
Në ora 12.53, në Vlorë protesta e socialistëve zhvillohej në Novoselë, në Fier, ndërkohë që autostrada Fier- Lushnjë vazhdon të jetë e bllokuar prej gati dy orësh.
Mbështetësit e PS-së kanë vendosur goma makinash në mes të rrugës dhe i kanë vënë flakën. Konstatohet një prani e madhe e forcave policore. Protestuesit kanë deklaruar se do të bllokojnë aksin nacional deri në një afat të papërcaktuar.
Edhe në Lezhë, autostrada Lezhë-Tiranë, është bllokuar prej një ore në afërsi të Laçit. Deputetët e PS-së i kanë bërë thirrje policisë që të mos ndërhyjnë. Në Lezhë nuk është vënë re rëndim trafiku pasi makinat kanë lëvizur në një rrugë dytësore.
Në Durrës qindra militantë të PS-së kanë protestuar duke ecur në këmbë nga Muzeu i Dëshmorëve deri në hyrje të autostradës Durrës- Tiranë. Protestuesit kanë hyrë në autostradë e po i drejtohen Tiranës duke bllokuar lëvizjen e trafikut në autostradë. Në krye të protestuesve janë deputetë socialistë, si Blendi Klosi.
Ndërsa, në Kavajë rreth 300 protestues kanë bllokuar rrugën Rrogozhinë-Kavajë. Ata kanë djegur gomat e makinave në mes të rrugës dhe kanë deklaruar se do t’i drejtohen me vonë Tiranës.
Ndryshe gjatë ditës ka pasur tensione jashtë selisë së KQZ-së në Tiranë. Turma e militantëve socialiste për disa minuta kanë tentuar të shtyjnë e të çajnë kordonin policor për të hyrë në oborrin e KQZ-së. Kordoni policor me policë me skafandra është më i përforcuar se një ditë më parë. Ndërkohë që te dera, ne hyrje të ndërtesës së KQZ-së, janë vendosur kordonë të tjerë policor.
Pakënaqësitë e socialistëve kanë filluar për shkak të numërimit të fletëvotimeve të kontestuara, të cilat kanë vënë në epërsi kandidatin demokrat Lulzim Basha ndaj kandidatit socialist Edi Rama. Ky i fundit pas përfundimit të numërimit të votave kishte shpallur fitoren për kryetar të bashkisë së Tiranës, me diferencë prej 10 votash.
Bahskimi Evropian ka kërkuar përmbajtje nga forcat politike në Shqipëri dhe përfundim sa më të shpejtë të procesit zgjedhor.