“PS nuk është tërhequr nga konsensusi”

Arben Malaj, deputet socialist
Deputeti i PS-së, Arben Malaj tha dje se opozita nuk është tërhequr nga konsensusi parlamentar me mazhorancën, për miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar. Kërkesën e kryetarit të grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, për heqjen nga kalendari 3 javor i punimeve të Kuvendit të tre projektligjeve, për të cilët është rënë dakord mes dy palëve që më 14 nëntor të 2011-ës, Arben Malaj e arsyeton si normale, pasi PS kërkon kohën e nevojshme për shqyrtimin e projektligjeve për Kodin Civil, Penal dhe Gjykatën Administrative.
“Unë besoj se Partia Socialiste nuk është tërhequr nga dialogu politik me mazhorancën. Është bërë një kërkesë që disa ligje të shtyhen në mënyrë që të jetë koha e nevojshme për shqyrtim. Ne kemi pasur një ngërç politik dhe që na solli disa kosto, pastaj momenti iu la konsensusit dhe mendoj se ky konsensus do vazhdojë. Disa ligje të rëndësishme u miratuar një vit më parë, ndërsa ligjet e tjera sigurisht që do miratohen gjatë këtij viti. Por theksoj dhe njëherë që thelbi ka qenë koha e nevojshme për shqyrtimin e këtyre ligjeve”- tha ai.
Më herët, edhe deputeti Taulant Balla, në cilësinë e sekretarit të grupit parlamentar socialist tha se, “në Konferencën e Kryetarëve, Kryetari i ynë i Grupit nuk ka refuzuar fillimin e punës për projekt-ligjet që kërkojnë tre të pestat e votave të Kuvendit”.
Balla tha se të gjitha këto projekt-ligje janë prej kohësh tashmë pjesë e punës së përditshme të përfaqësuesve socialistë në Komisionin e Ligjeve, të cilët po përgatisin qëndrimin tonë në atë komision për secilin nga projektet e paraqitura nga qeveria.
“Puna e tyre bazohet në afate të përcaktuara, paraprakisht, që lidhen me domosdoshmërinë për të realizuar në afatin e paracaktuar bashkërisht me palën tjetër miratimin e projekt-ligjeve në fjalë. Pikërisht këtë ka nënvizuar Kryetari i Grupit Socialist në Konferencën e Kryetarëve, duke kërkuar kohën e nevojshme për fillimin e punës në komision nga ana e përfaqësuesve tanë”, thuhet në deklaratën për shtyp të përfaqësuesit të PS-së.