E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Presidenti, mekanizmat parashikohen në Kushtetutë”

13-01-2012 / Gazeta 55

Flet kreu i delegacionit të BE-së në Tiranë, Ettore Sequi

“Zgjedhja e Presidentit parashikohet në Kushtetutë, e cila është e shkruar nga vetë shqiptarët”. Kështu u shpreh dje kreu i delegacionit të BE-së në Tiranë, Ettore Sequi. Për diplomatin evropian Presidenti i ri duhet të jetë bashkimi i të gjithë shqiptarëve si dhe mekanizmat e përzgjedhjes së tij u takojnë po vetë shqiptarëve, përmes ligjit themeltar të shtetit. “Duke lexuar Kushtetutën e Shqipërisë, e cila është shkruar nga vetë shqiptarët, kam parë se në nenin 86 të saj, Presidenti i Republikës përshkruhet si bashkimi i shqiptarëve. Atëherë për sa i përket mekanizmit sesi mund të arrihet bashkimi, këtë pjesë ua lë juve”, u shpreh Sequi.
Komentet e tij, ambasadori i Bashkimit Evropian i bëri pas një takimi të zhvilluar me Avokatin e Popullit. Në këtë drejtim, ai ka vlerësuar rolin e madh që ka institucioni i Avokatit të Popullit, si dhe vlerësoi mënyrën e zgjedhjes së tij në këtë institucion. “Është një fakt i rëndësishëm që Avokati i Popullit u zgjodh me 127 vota, pra me një shumicë të madhe. Vlerësojmë mjaft mënyrën se si u zgjodh Avokati i ri i Popullit, me një proces që ishte publik, i vështirë dhe transparent. Gjithashtu vlerësojmë edhe gatishmërinë e mazhorancës, e cila pranoi këtë kandidat që ishte zgjedhur nga ky proces”, tha Sequi.
Sipas tij, askush nuk duhet të nënvlerësojë rolin tepër të madh që ka Avokati i Popullit në këtë vend. “I kam shprehur Totozanit mbështetjen e plotë të Bashkimit Europian dhe po ashtu i kam shprehur atij edhe mbështetjen time të plotë. Ne vlerësojmë shumë integritetin, kompetencën dhe profesionalizmin e Avokatit të Popullit si institucion, por edhe të personit vetë”.
Sequi shtoi se vëmendja dhe interesi, mbështetja me të cilin institucionet europiane shohin aktivitetin e kësaj zyre dhe gjithashtu vlerësimin e veçantë për Totozanin, vërtetohen edhe nga fakti se sot pata kënaqësi t’i paraqes Totozanit një ftesë për një vizitë në Bruksel.
Duke shprehur sërish mbështetjen e plotë për aktivitetin e Avokatit të Popullit, Sequi theksoi se, “po studiojmë mundësi, projekte apo masa konkrete për të pasur në të ardhmen një bashkëpunim të frytshëm me Avokatin e Popullit”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›