PS nuk heq dorë nga bojkoti, ndërsa nesër skadon afati për dorëzimin e kandidaturave për në zgjedhjet e pjesshme
Nesër skadon afati i vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për regjistrimin e emrave të kandidatëve për zgjedhjet e pjesshme vendore, si dhe paraqitjes së propozimeve për anëtarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) nga partitë politike. Ndonëse afati i paracaktuar për këto procedura ishte data 18 tetor për regjistrimin e kandidatëve dhe 19 tetor për emrat e anëtarëve të KZAZ-ve, dy data që në kalendar janë zyrtarisht pushim, afatet shtyhen për të martën, kur dhe është paralajmëruar një mbledhje e Komisionit Zgjedhor. Mosngritja ende e KZAZ-ve pengon dhe procesin e paraqitjes së kandidatëve për zgjedhje. Deri më sot, vetëm Partia Demokratike dhe pjesërisht Lëvizja Socialiste për Integrim i kanë dorëzuar propozimet, ndërsa Partia Socialiste dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut nuk kanë paraqitur ende emrat në respektim të ligjit. Sipas Kodit Zgjedhor këto katër subjekte janë të detyruara të propozojnë komisionerë. Ndërkohë, PS, sipas vendimit të marrë më 17 tetor në Asamblenë Kombëtare, ka vendosur të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 15 nëntorit, duke mos propozuar emra për anëtarë të KZAZ-ve, ndërsa PBDNJ ka vendosur të jetë pjesë e këtij procesi zgjedhor që do mbahet në pesë njësi vendore, ndonëse është parti e opozitës. Disa ditë më parë kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, paralajmëroi subjektet politike që në rast se nuk respektojnë këtë dispozitë të kodit, ndaj tyre do të ketë penalizime. Kodi Zgjedhor, në nenin 29 të tij, përcakton ndërhyrjen e KQZ-së për zgjidhjen e situatës. "Në rast se subjektet me të drejtë propozimi nuk propozojnë kandidaturë në KQZ, kjo e drejtë u kalon partive politike të të njëjtit grupim, që vijnë pas tyre në Kuvend për nga numri i vendeve të fituara në parlament në zgjedhjet pararendëse. Nëse edhe këto parti nuk propozojnë anëtarë, KQZ-ja emëron kryesisht anëtarët e KZAZ-së deri në plotësimin e numrit të nevojshëm të anëtarëve për vendimmarrje", thuhet në këtë nen.
Sipas Kodit Zgjedhor, KZAZ përbëhet nga 7 anëtarë dhe sekretari, të cilët emërohen nga KQZ-ja sipas kësaj procedure: dy anëtarë propozohen nga partia kryesore e shumicës parlamentare, dy anëtarë propozohen nga partia kryesore e opozitës parlamentare, një anëtar propozohet nga partia e dytë e shumicës parlamentare dhe një anëtar propozohet nga partia e dytë e opozitës parlamentare. Në rast se nuk arrihet baraspeshimi politik sipas kësaj shkronje, grupi përkatës kompensohet me kandidaturat e partisë kryesore deri në baraspeshimin politik shumicë-opozitë. Për zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit janë regjistruar tre parti politike: Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar. Ndërkohë, që PS në opozitë nuk do të hyjë në zgjedhje. Zgjedhjet e pjesshme lokale të 15 nëntorit zhvillohen pas futjes në Kuvend me mandatin e deputetit, të kryetarëve të pesë njësive të qeverisjes vendore, duke lënë vakant drejtimin e këtyre institucioneve të pushtetit lokal. Zgjedhjet do të zhvillohen në njësinë bashkiake nr. 10 në kryeqytet, ku kryetar ishte Gerti Bogdani; në komunën Otllak në Qarkun e Beratit, ku kryetar ishte Lefter Maliqi; në Bashkinë Klos në Dibër me kryetar Bedri Hoxhën; në Bashkinë e Fierzës me kryetar Besnik Dushajn dhe Bashkinë e Fushë-Arrësit në Qarkun e Shkodrës, me kryetar Ndue Palucën.
...