Rrëzohet kërkesa për "ricopëtimin" Gërdecit
Gjykata Refuzoi dje kërkesën e avokatëve të ish- ushtarakëve që kërkonin ndarjen e gjykimit të tyre nga Delijorgji e Pinari
Avokatët luajnë kartën e mosnjohjes së akt- ekspertimeve të kryera nga prokuroria, duke kërkuar pavlefshmërinë e tyre
TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, rrëzoi kërkesën e avokatëve mbrojtës të 22 të pandehurve të dosjes "Gërdeci", shumica ish- ushtarakë që kërkuan ndarjen e çështjes së tyre nga gjykimi me të pandehurit e akuzuar për "vrasjen masivë", për shkak të shpërthimit të ndodhur në ish-repartin e tankeve në Gërdec.
Paraditen e djeshme, kryesuesi i treshes gjykuese të dosjes "Gërdeci", gjyqtari Ridvan Hado, lexoi vendimin unanim të Gjykatës për mos pranimin e kërkesës së 22 të pandehurve për veçimin e dosjes mes tyre. Sipas dispozitivit të vendimit, arsyeja e mos ndarjes së dosjes është sepse janë të lidhur me njëri-tjetrin dhe mes tyre ekziston bashkëpunimi direkt dhe indirekt që ka sjellë pasojat e tragjedisë së Gërdecit.
Pas leximit të vendimit për rrëzimin e kërkesës së ndarjes së çështjes, gjykata vazhdoi me dëgjimin e kërkesave të tjera paraprake të mbrojtësve ligjorë të të pandehurve, të cilët paraqiten një sërë kërkesash për pavlefshmëri të akt-ekspertimeve të ndryshme të kryer pas shpërthimit të punishtes së demontimit të fishekëve dhe predhave në Gërdec.
Avokatët mbrojtës, renditën kërkesat për pavlefshmërinë e thuajse të gjitha akt-ekspertimeve të ndryshme, që nga ai i dëmit financiar e deri tek akt-ekspertimet ushtarake. Këto të fundit, u kërkuan me ngulm nga të pandehurit ushtarakë, të cilët i cilësuan akt-ekspertimet e kryera jo profesionale dhe të kryera me mangësi.
Sipas avokatëve, prokuroria ka kryer një sërë akt-ekspertimesh në kundërshtim me ligjin, si akt-ekspertimi ekonomik i dëmeve të shkaktuara, akt-ekspertimet ushtarake, akt-ekspertimin e kryer nga specialistët e ardhur nga SHBA-ja, pavlefshmërinë e dëshmive të të pandehurve e shumë të tjera.
Gjithashtu, në seancën e djeshme nuk munguan edhe replikat mes avokatëve mbrojtës dhe prokurorëve të çështjes në lidhje me pavlefshmërinë e një sërë aktesh procedurale të kryer nga Prokuroria e Përgjithshme në fazën hetimore.
Vladimir Meçi, mbrojtësi ligjor i të pandehurve Shpëtim Spahiu, me detyrë ish-komandant i Komandës së Bashkuar dhe Ardian Mullai, ish-sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, pretendoi se prokuroria ka kryer një sërë veprimesh ligjore në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale, që nëse pranohen e kthejnë dosjen në nul, si në rastin e ish-ministrit të Transporteve, Lulëzim Basha.
"I kërkoj gjykatës të shpallë të pavlefshme një sërë veprimesh të prokurorisë, duke filluar që nga vendimi i dërgimit të dosjes në Gjykatë, jo vetëm për dy klientët që i mbroj por për të gjithë të pandehurit në këtë dosje. Pasi organi i akuzës e ka dorëzuar kërkesën për gjykim pranë Gjykatës tej afateve hetimore, të paktën për 23 ditë me vonesë",-tha avokati Meçi.
Gjithashtu, ai i kërkoi gjykatës që të shpallen të pavlefshme edhe akt-ekspertimet konkrete, si ai ekonomiko financiar mbi përllogaritjen e dëmeve që solli tragjedia e Gërdeci dhe procesverbalet e marrjes në pyetje të të pandehurve në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen dhe më pas i kanë ndryshuar statusin e tyre.
"Dy nga ekspertët që kanë kryer ekspertimin e dëmit ekonomiko financiar janë punonjës të Kontrollit të Lart të Shtetit, të cilëve nuk i lejohet të kryejnë ekspertime të ndryshme përveç mësimdhënies, ndërsa këta të dy kanë marrë pjesë në përllogaritjen e dëmeve të ardhura nga shpërthimi i 15 marsit 2008",-tha avokati.
Kërkesa
Do konsultohemi me klientët për gjykim të shkurtuar
Ashtu si Meçi, avokatët e tjerë mbrojtës parashtruan kërkesat e tyre, veçanërisht kërkesa e avokatëve të të pandehurve Mihal Delijorgji, Dritan Minxhozi, Agim Lala e Lavdi Shatro, të cilët i kërkuan gjykatës të ndërpresë seancën gjyqësore për t'u konsultuar me klientët e tyre në lidhje me aplikimin ose jo të gjykimit të shkurtuar në shqyrtimin e kësaj dosjeje.
Kjo kërkesë u pranua nga gjykata e cila përveç se administroi të gjitha kërkesat e palëve në këtë proces gjyqësor, vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për javën tjetër, të mërkurën në ora 10:00 për tu shprehur mbi kërkesat e pavlefshmërisë së palëve dhe për t'i lënë kohë avokatëve të konsultohen me klientët e tyre në lidhje me aplikimin ose jo të gjykimit të shkurtuar.
E gjithë seanca gjyqësore zgjati jo më pak se 2 orë e 15 minuta, ku të pranishëm ishin vetëm disa nga të pandehurit që gjykohen në gjendje të lirë, ndërsa të arrestuarit Mihal Delijorgji, Dritan Minxhozi, Ylli Pinari e Sokol Ngjeçi sërish nuk kanë preferuar të paraqiten vetë para Gjykatës.
TIRANË- Të pandehur që gjykohen në gjendje të lirë janë ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha; zëvendësi Agim Lala; ish-komandanti i Komandës së Bashkuar Shpëtim Spahiu, Zija Bahja, Ramadan Tartari, Ndue Marku, Ardian Mullahi, Adriatik Mema, Shkëlzen Madani, Dashnor Çaushaj, Zenun Fero, Hysni Coçka, Hilmi Laçaj, Fari Toska, Rezart Tërshana, Besnik Dauti, Agim Babameto, Fiqiret Mato, Lavdi Shatro, Gëzim Oshafi, Denis Hajdari, Jorgo Mino dhe Fatbardh Kuçi. Si dhe ish-drejtori i kompanisë shtetërore MEICO, Ylli Pinari, administratori i kompanisë "Albademil" Mihal Delijorgji, ish-drejtori teknik i fabrikës së çmontimit të municioneve, Dritan Minxhozi, si dhe ish-punonjësi
i MEICO-së Sokol Ngjeçi, që janë në gjendje arresti.
Kërkesat për aktet
Pavlefshmërinë e akt-ekspertimit ekonomiko financiar të dëmeve të shkaktuara
Pavlefshmërinë e akt-ekspertimit tekniko ushtarak
Pavlefshmërinë e akt-ekspertimi tekniko ushtarak të ekspertëve të ATF-së së ardhur nga SHBA-ja
Pavlefshmërinë e akt-ekspertimit të kryer në Poliçan për kushtet e demontimit
Pavlefshmërinë e akt-ekspertimit kontabël të caktimit të çmimeve të fishekëve për demontim
Pavlefshmërinë e akt-ekspertimit kontabël të dëmit të municioneve të shpërthyera
Pavlefshmërinë e vendimit për dërgim të dosjes për gjykim
Pavlefshmërinë e kërkesës për gjykim
Pavlefshmërinë e deklarimeve të dhëna nga të gjithë të pandehurve në cilësinë e deklaruesve