Dështon seanca e imunitetit. Berisha: Do kërkojmë referendum popullor
Tiranë- Partia Socialiste nuk ka aprovuar projektligjin e që do t`i hapte rrugë heqjes së imunitetit, ashtu siç pritej, duke bërë që të dështojë seanca plenare maratonë.
Deputetët e opozitës deklaruan votën e tyre kundër, prandaj drafti nuk u votua. Ndërsa kryeministri Berisha pas debateve e replikave deklaroi se do ta çojë çështjen në referendum popullor.
Besimi im i palëkundur është tek qytetarët e këtij vendi, socialistët e thjeshtë, demokratët e përfaqësuesit e LSI, të gjithë do votojnë së bashku heqjen e murit të turpit të korrupsionit. Kjo seancë finalizohet me zotimin tim solemn se do ecim në mënyrë të pandalshme në referendumin popullor drejt heqjes së imunitetit.”- tha ai.
Më tej Berisha ritheksoi edhe njëherë ky është një mur bllokimi që u ngrit tullë pas tullë nga opozita dhe përbën një akt të papreçedentë në historinë e shteteve demokratike.
Kuvendi i Republikës zhvilloi sot seancën për votimin e draftit për heqjen e imuniteteve, dhe ashtu siç pritej ka patur debate të ashpra mes dy kaheve politike.
Kryeministri Sali Berisha ka thënë se qëllimi i opozitës është të bllokojmë marrjen e statusit kandidat, dhe kjo sipas tij do të sjellë një dëm të madh për vendin dhe qytetarët.
Më tej kreu i qeverisë ka thënë se gjatë votimit në 12 Korrik opozita ka qenë pro datës 6 Gusht për të votuar heqjen e imuniteteve, duke vijuar me deklartën se po zbatohen ndryshimet kushtetuese që kërkoi PS- ja na vitin 2008.
Nuk keni vullnet të hetoheni, kjo është sa i përket marrëveshjes dhe kërkesës. Ky parlament ka një regjistrim të plotë zanor, më 12 korrik u votua se do të jetë data 6 gusht që do votohen amandamentet e Kushtetutës. Nuk duhet ta shndërrojmë këtë seancë në një seancë mashtrimi, ju bllokoni sot për të bllokuar statusin për të tretën herë. Përcaktoni si kusht që ne të pranojmë që ju të kapni shtetin ose të bllokoni institucionet kushtetuese, Presidentin e morën ata kishin votat. Të kërkosh që kryetari i gjykatës Kushtetuese, gjykatës së lartë, prokurori i përgjithshëm, kreu i KLD, dhe Presidenti të votohen me 3/5 ky është model absurd. Ju doni sundimin e pakicës, se Kryetari juaj ju çon nga disfata në disfatë unë nuk mund të bëhem lider i juaji dhe atë s`mund ta bëj lider, ai nuk di c`është fitorja. Ne vimë sot këtu pas një debati 10 vjecar, vimë këtu pasi kemi pranuar ato që ju keni sugjeruar dhe propozuar,- tha Berisha.
Më tej shefi i ekzekutivit i ka kujtuar deputetit socialist Fatmir Xafaj që kur ka qenë ministër i Drejtësisë në vitin 2004 ka nënshkruar një marrveshje me Këshillin e Evropës për heqjen e imunitetit, dhe sipas tij kjo marëveshje duhet respektuar.
Zoti Xhafa ju tha shqiptarëve se nuk ka qenë imuniteti dhe heqja e tij se nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes së nëntorit midis forcave politike. Keni qenë Ministër i Drejtësisë kur ju keni pranuar dhe firmosur me KiE marrëveshjen në 2004 se do të hiqni imunitetet dhe ajo marrëveshje është detyruese aq sa është dhe anëtarësimi në KiE. Por meqenëse morët këtu shembullin e Rumanisë apo shembull tjetër është mirë tu themi shqiptarëve se Brukseli cdo vit e më shumë thellon kërkesat ndaj atyre vendeve që duan të shkojnë drejt tyre. Në qëndrimet mund ti mbajmë si të duam, por jo të dizinformojmë,- u shpreh kryeministri.
Në përfundim Berisha i ka bërë thirrje opozitës ta votojë heqjen e imunitetit, pasi kjo përveçse dëmton qeverinë dëmton akoma më shumë qytetarët, dhe sipas tij ata do ta japin verdiktin e tyre në zgjedhjet elektorale.
Para fjalës së kryeministrit, foli deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, i cili në deklaratën e tij ka thënë se opozita ka qenë kundër datës 6 Gusht, por ishte mazhoranca ajo që e votoi në Konferencën e Kryetarëve.
“Është paraqitur data 6 gusht, a thua se kjo është një datë e nxjerrë nga kalendari Maja që nëse nuk respektohet, do të shënohet fundi i botës. Por kryeministri thotë se Data 6 është detyrim ligjor i amendamentit që ka sjellë PS për procedurën e ndryshimeve kushtetuese. Si është e vërteta ? Logjika e rregullores është e qartë. Data e votimit në seancë lidhet me kalendarin e punës së komisionit, kushtëzohet me kohën kur ky komision miraton raportin. Pra data e votimit rrjedh nga ecuria e shqyrtimit dhe vendoset pas këtij procesi si hapi fundor i saj. Çfarë bëtë ju? Paravendosët datën e votimit dhe mbi atë kushtëzuat vet procesin. Logjikë tërësisht e mbrapshtë! Sepse për ju kishte më shumë rëndësi data ultimatum se sa vet procesi dhe konsensusi me opozitën. Por Kryeministri, pa e prishur terezinë thotë: Data 6 gusht është e përcaktuar me ujdi të plotë nga i gjithë spektri parlamentar i vendit, është datë e përcaktuar me konsensus në datën 12 korrik, në seancën e parlamentit.E pason kryetarja e Kuvendit dhe sipas saj: 6 Gushti është një datë e caktuar në Konferencën e Kryetarëve dhe në të njëjtën kohë i është bërë e ditur seancës plenare të datës 12 Korrik, të cilën asnjë deputet nga opozita nuk e kundërshtoi. Gjithshka e pavërtetë! Vendimi për datën 6 ka qenë një vendim arbitrar, i njëanshëm dhe i paravendosur”,- tha Xhafa.
Më tej ai i ka drejtuar një pyetje kryeministrit duke i thënë se a do të ishte i gatshëm të dorëhiqej nëse ndryshimet kushtetuese bëhen dhe vendi nuk e merr statusin kandidat për antarsimin në BE.
Ndërsa deputetja e Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, ka deklaruar se qëndrimi i PS- së në raport me imunitetin mbetet i pandryshuar, i konfirmuar edhe me votën në Komisionin e Ligjeve nga deputetët e opozitës. Sipas saj ai që ka ndryshuar është kryeministri, i cili për vite të tëra nuk e pranonte variantin e kufizimit të imunitetit me rrugë kushtetuese.
Çfarë po kërkon opozita me propozimin e saj për shqyrtimin dhe votimin e njëkohshëm të të dyja propozimeve dhe a bie kjo ndesh me Brukselin? Ne synojmë hapjen e një procesi serioz e përfshirës për ndryshimet në kushtetutë, që i kontribuon një sistemi drejtësie të pavarur e të qëndrueshëm dhe që propozimet për ndryshimet kushtetuese të mos diskutohen e votohen dy herë brenda muajit po në një paketë. Propozimi i opozitës në thelb synon disa garantë për sistemin e drejtësisë që e bëjnë edhe kufizimin e imunitetit efiçent në luftën kundër korrupsionit. Kush mund të thotë se ky propozim bie ndesh me Brukselin. Kush mund të thotë se Brukselit i intereson vetëm data dhe jo një reformë që i kontribuon pavarësimit të drejtësisë që e ka kërkuar në çdo raport të tij,- tha Leskaj.
Që projektligji të miratohej nevojiteshin 3/5 e votave, pra edhe ato të opozitës, por procesi i sotëm ashtu siç pritej ështoi pasi Partia Socialiste nuk pranoi ta votonte atë.
Siç ishe paralajmëruar prej ditësh Partisa Socialiste kishte thënë prerazi në deklaratat e saj se nuk do ta votojnë reformën e imuniteteve ditën e sotme pasi sipas tyre nuk është as një datë konsensuale dhe as një afat kohor i vendosur nga Brukseli.
/Kliti Topalli/IDEA/