Zjarre në pyjet e Lurës, vështirësi për zjarrëfikësit

Pas rreth dy javësh aktivizohen sërish vatrat e zjarreve në pyjet e Lurës në Dibër. Prej dy ditësh flakët kanë përfshirë sërish sipërfaqe të mëdha me pisha disa vjecare dhe pyje në Kalanë e Dodës, ndërsa flakët janë përhapur tanimë edhe në kurorën e Lurës.
Terreni i vështirë malor nuk i ka lejuar forcat e zjarrëfikësive të depërtojnë në vendin e ngjarjes, ndërsa janë vetëm përpjekjet e banorëve të zonës ata të cilët po përpiqen të shuajnë flakët e zjarrit me mjete rrethanore. Po ashtu, forcat e ushtrisë së Burrelit kanë nisur punën për të neutralizuar flakët e këtij zjarri, që po shkrumbon sipërfaqe të mëdha me pyje.
Po ashtu, pak ditë më parë një tjetër zjarr i fuqishëm pushtoi malet e Lurës duke djegur dhjetera hektarë me pyje shkurre dhe bime të ndryshme, ndërsa dëmi më i madh është shkaktuar në fshatin Pregj-Lurë. Flakët qëndruan aktive për 4 ditë me radhë, deri sa janë shuar nga banorët e zonës dhe ndërhyrja e forcave të togave të ushtrisë së Burrelit.
Pas një bilanci paraprak, drejtori i Sherbimit Pyjor në Diber, Gafurr Gazidede, thekson se një sipërfaqe prej rreth 76 hektarësh jane te pershkruara nga zjarri. Ai thotë se nga kjo sipërfaqe janë djegur rreth 20 hektarë, pasi terreni i vështirë dhe era e fortë influencuan në përhapjen e flakëve në pyje.
Nje problem tjeter që ka shkaktuar ky zjarr ishte edhe zhdukja e kafsheve te ketij masivi pyjor si ujku, lepuri dhe ne menyre te veçante ajo e gjelit te eger, nje shpend ky i rralle qe rritet vetem ne kete zone tashme te pushtuar nga flaket.