E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS pas Frattinit: Protestat, pa ndalim

Partia Socialiste, e cila ishte jashtë axhendës së ministrit italian Franco Frattini, e ka përshëndetur dje deklaratën e tij për liberalizimin e vizave. Por nga ana tjetër kjo parti nuk i është përgjigjur shqetësimit të kryediplomatit italian për bashkëpunimin politik në vend, në të kundërt ka bërë të ditur se do të vazhdojë në rrugën e protestave. Deputetja Olta Xhaçka e bëri deklaratën e djeshme, duke thënë: Përshëndes deklaratën e ministrit të Jashtëm italian, zotit Frattini, dhe shpreh mirënjohje për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që miqtë dhe fqinjët tanë italianë kanë dhënë në funksion të përshpejtimit të proceseve integruese dhe liberalizimit të vizave. Më tej, Xhaçka tha se është faji i qeverisë nëse ështe vonuar procesi deri më tani. Më tej ajo ka theksuar pozicionin e palëvizur të PS-së për protestat dhe vazhdimin e bojkotit të seancave parlamentare, gjë që thellon në fakt më tej ngërçin politik në vend. Ne shpresojmë në një përgjigje pozitive deri në maj, që shqiptarët të kenë mundësinë të lëvizin lirshëm në Evropë, pasi në të kundërt, humbja edhe e këtij shansi, do të ishte tepër e rëndë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Sa i përket çështjes së transparencës së zgjedhjeve, kjo është një e drejtë e mohuar që populli opozitar do ta fitojë në rrugën e protestës pa ndalim, kundër pushtetit të vjedhur që po rrënon edhe ekonominë, pasi tjetërsoi vullnetin e zgjedhësve në 28 qershor, - tha Xhaçka.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›