E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama planifikon protestë disaditore: Në shesh disa ditë pas 30 prillit

Partia Socialiste po planifikon që të ripërsëritë protestën non-stop me çadra në sheshin pranë Kryeministrisë më datë 30 prill e më tej. Këtë gjë e ka deklaruar tashmë kreu i kësaj partie, Edi Rama, megjithëse akoma nuk është zbardhur plani se si do të mbahen këto tubime, një mënyrë kjo që për Ramën është rruga e vetme për ta çuar qeverinë aktuale drejt largimit. Numri i këtyre protestave qytetare do të vijë duke u rritur përditë, për të kulmuar me manifestimin e madh të protestës në 30 prill në bulevardin e Tiranës, ku protesta do të vazhdojë në 1 maj e më tej për zbardhjen e krimit elektoral dhe ndaljen e rrënimit ekonomik, - tha dje Rama në një konferencë për shtyp. Ai zgjodhi ditën kur kryediplomati italian Frattini dha një lajm të mirë për shqiptarët, pikërisht në Tiranë, që në qershor do të liberalizohen vizat, për të treguar se opozita ka një tjetër axhendë. Qëndrimi në shesh për disa ditë është i vështirë nga ana praktike, por PS mund ta zgjidhë këtë gjë duke mbajtur një numër të vogël njerëzish të cilët do të zëvendësojnë njëri-tjetrin me turne. Ndërkohë, data 1 maj do të sjellë dhe një përplasje tubimesh, pasi partitë në qeverisje kanë deklaruar se do të organizojnë një tubim për të festuar arritjet e qeverisë. Nga ana tjetër, Rama sheh arsyet e protestimit, që sipas tij, përveç hapjes së kutive janë dhe rritja e çmimeve. Shifrat e tremujorit të fundit dëshmojnë se ekonomia shqiptare është në degradim të vazhdueshëm dhe të pandalshëm. Vetëm në Tiranë dhe vetëm gjatë muajit mars, uji është shtrenjtuar me mbi 75%. Energjia elektrike raportohet nga qeveria të jetë shtrenjtuar 8-9% në tre muajt e fundit, ndërkohë që ligjërisht ajo është shtrenjtuar 13% (sipas ERE), ndërsa vetë qytetarët raportojnë për faturat 50 - 100% më të shtrenjta, - tha kryesocialisti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›