Miratohet marrëveshja, Shqipëria emeton eurobondin
Komisioni parlamentar i Ekonomisë miratoi dje emetimin e eurobondit të parë shqiptar si dhe bankat e autorizuara për këtë Deutsche Bank dhe JP Morgan. Në këtë mënyrë vendi ynë përfshihet për herë të parë në tregjet financiare ndërkombëtare, duke krijuar mundësinë që me këtë instrument të listohet edhe në Bursën e Londrës. Eurobondi me vlerë deri në 400 milionë euro, që qeveria shqiptare do të emetojë në tregun ndërkombëtar, do të ketë një normë interesi deri në 7.5% dhe do të merret për një afat 5-vjeçar. Zëvendësministri i Financave, Nezir Aldeda, e ka konsideruar një veprim të zgjuar ekonomik marrjen e këtij borxhi për të shlyer kredinë 300 milionë euro me interes 11.5% të marrë vitin e kaluar për rrugën Durrës-Kukës, duke hedhur kështu poshtë edhe akuzat e opozitës për thellim të borxhit të vendit. Financimi i siguruar nga eurobondi shqiptar do të shërbejë për të plotësuar nevojat e buxhetit dhe për të financuar shpenzimet kapitale në euro. Instrumenti i eurobondit do të ketë karakteristikë bazë një shumë deri në 400 milionë euro dhe një maturim prej 5 vitesh, - tha Aldeda. Pas interesimit të deputetëve, zëvendësministri i Financave ka dhënë një përgjigje edhe për opozitën, e cila e ka cilësuar marrjen e borxhit për të paguar një borxh tjetër si shenjë të krizës. E gjithë bota merr borxh për të larë borxh dhe ne po marrim një pjesë të këtyre që do rezultojnë nga eurobonde dhe kështu po shlyejmë një financim më të shtrenjtë me një më të ulët. Të marrësh një borxh më të lirë për të shlyer një borxh më të shtrenjtë është gjëja më e zgjuar dhe më e pranueshme. Në këtë aspekt, pavarësisht nga teoritë e krizës, njerëzit që nuk e shikojnë kështu, e shohin krizën në aspekte të tjera dhe jo në aspektin ekonomik, - u shpreh zëvendësministri i Financave, Aldeda. Deputeti Sherefedin Shehu tha se ky është një moment historik për Shqipërinë, pasi për herë të parë vendi del në tregjet ndërkombëtare financiare të kapitalit. Ai sqaroi se financimi i siguruar nga eurobondi do të shërbejë për të plotësuar nevojat e buxhetit të shtetit për të financuar shpenzimet kapitale në euro. Sipas deputetëve të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, ky projektligj do të krijojë më shumë garanci për investitorët dhe do të sjellë efekte të shpejta pozitive si: shtimi i likuiditeteve në treg, forcimi i lekut, nxitja e kredive të bankave etj. Në relacionin për këtë projektligj ndër të tjera thuhet se financimi i siguruar nga eurobondi do të shërbejë për të plotësuar nevojat e buxhetit të shtetit për të financuar shpenzimet kapitale në euro. Sipas relacionit të ekspertëve, ky proces ka një natyrë të ngjashme me letrat me vlerë të emetuara në vend, sepse realizohet nëpërmjet një mekanizmi që mundëson marrjen e ofertave nga një numër i madh investitorësh ndërkombëtarë.