E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS per ftesen e PD-se Subashi Ta fillojme nga kushtetuta

Kodi zgjedhor?? Më parë kushtetuta. Kjo mesa duket do të jetë edhe përgjigja zyrtare e Partisë Socialiste për ftesën që Partia Demokratike i ka dërguar për të nisur nga puna për ndryshimet në ligjin elektoral. Sekretari për çështjet zgjedhore në Partinë Socialiste për herë të parë publikisht pohon se forca politike që ai përfaqëson kërkon një ndërhyrje më të gjerë në legjislacionin vendas që nisin me ndryshimet kushtetuese që PS ka kërkuar. Dhe kjo pritet të vendoset si kusht i socialistëve për t’u ulur në tryezë me demokratët.

“Nëse bëhet fjalë për një bashkëpunim real mes palëve ndoshta do të jetë e nevojshme që gjërat të shikohen me shumë qetësi, maturi dhe sigurisht duke e zhveshur veten nga të gjitha të themi interesat e momentit në formulimin dhe miratimin e ligjeve shumë të rëndësishme duke filluar që nga Kushtetuta e me rradhë pastaj të gjitha ligjet e tjera që kanë të bëjnë qoftë me kodin, qoftë me sistemin e drejtësisë”-tha deputeti, Armando Subashi.

Nga ana tjetër, socialistët nuk i kanë mbyllur hesapet me procesin zgjedhor në Tiranë. Beteja tani për opozitën është zhvendosur në prokurori. Selia rozë ka depozituar në organin e akuzës dy shtesa në kallëzimin penal për manipulimin me listat e zgjedhësve. Janë evidentuar 21 mijë dublime në të gjithë vendin dhe rreth pesë mijë në Tiranë, tha sekretari zgjedhor në PS, i cili shprehu besimin e plotë të hetimet e prokurorisë.

“Ne besojmë shumë te prokuroria, te profesionalizmi i saj, por sigurisht që provat dhe faktet janë të tilla që edhe nëse prokuoria do të mendonte apo do të kishte tendencën që shfaqi Kolegji Zgjedhor, sigurisht që do ta kishte shumë të vështirë për një vendimarrje që do të nxirrte pa lagur të gjithë shkelësit e ligjit”-theksoi ai.

Subashi tha se nga informacionet që forca e tij politike ka marrë nga organi i akuzës kanë nisur tashmë hetimet për atë që socialistët besojnë, manipulimi me listat e zgjedhësve.

Rovena Moçka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›