E Diel, 1 Nëntor 2026

“PS po dëmton biznesin, me sulmet politike po largon investimet e huaja”

Reagon Ministria e Ekonomisë

Në kuadër të akuzave të përditshme të Partisë Socialiste ndaj kompanive që kanë investuar dhe investojnë në vepra publike dhe private në vendin tonë, ka reaguar ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, i cili ka akuzuar opozitën se po demonstron politikë të mbrapshtë për të bllokuar investimet. Sipas ministrit Priftit, ditët e fundit ka pasur shqetësime nga koncesionarët, të cilëve po u shkaktohen dëme financiare si pasojë e sulmeve politike të opozitës.
“Dëshiroj të shpreh një shqetësim, i cili më është transmetuar ditët e fundit nga disa koncesionarë që kanë marrë koncesione të ndryshme, në kohë të ndryshme, nga qeveria shqiptare. Një shqetësim në lidhje me sulmet që po i bëhen koncesioneve nga Partia Socialiste në ditët e fundit. Koncesionarët janë të shqetësuar sepse bankat janë duke u tërhequr nga mbështetja që i kanë ofruar atyre për koncesionet. Janë duke u tërhequr kompanitë investitorë, që do të jepnin fondet për zbatimin e koncesioneve. Nga këto sulme ndaj koncesioneve ne rrezikojmë të kemi më pak investime në vend. Nga sulmet që i bëhen biznesit, sigurisht që investitorët tërhiqen, sepse këto lloj sulmesh krijojnë një pasiguri te biznesi, krijojnë një pasiguri të investimi, një pasiguri për të ardhmen”, u shpreh ministri Prifti.
Ai i bëri thirrje PS-së, që të heqë dorë nga sulmet ndaj biznesit, pasi koncesione ka dhënë edhe qeveria e mëparshme socialiste. Prifti theksoi se asnjë nga koncesionet e dhëna nga PS gjatë 8 viteve qeverisje, s’është sulmuar nga PD.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›