E Diel, 1 Nëntor 2026

“Qeveria ‘Berisha’, arritje të suksesshme, të gatshëm të shtojmë kontributin tonë”

Qendrimi i ri i PLL

Partia Lëvizja e Legalitetit vlerëson punën e qeverisë së Kryeministrit Sali Berisha që nga ardhja në pushtet në korrik të 2005-s. Nënkryetari i PLL-së, Sulejman Gjana, u shpreh gjatë një konference për shtyp se qeveria “Berisha” ka arritur rezultate të prekshme në fushën e investimeve infrastrukturore, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe rritjen ekonomike të Shqipërisë. Zyrtari i PLL-së vuri në dukje se, të gjitha këto suksese të prekshme të qeverisë, janë bërë të mundura falë vizionit të qartë të kryeministrit Berisha. “Tashmë një vit pas krijimit të kësaj mazhorance, partia Lëvizja e Legalitetit e vlerëson punën e qeverisë si të suksesshme dhe me arritje të dukshme në fushën e investimeve publike, infrastrukturës rrugore, në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, etj. është e kuptueshme se shkak për realizimin e këtyre sukseseve është koncepti i ri qeverisës që u shfaq për herë të parë pas zgjedhjeve të vitit 2005 dhe që po zbatohet edhe gjatë këtij mandati, por edhe kontributi i partive politike që janë pjesë e koalicionit qeverisës”, u shpreh Gjana.
Ai theksoi se Partia “Lëvizja e Legalitetit” vazhdon t’i përmbahet parimit se kontributi në qeverisje është më i rëndësishëm se çdo marrëdhënie tjetër me pushtetin dhe se, është në detyrimin tonë që të ofrojmë pa pengesa ndihmën tonë në të mirën e vendit”.
Nënkryetari i PLL-së tha se kjo forcë politike është e gatshme të verë në dispozicion të qeverisë, të gjitha potencialet dhe vlerat e saj ideore e programore.
“është kjo arsyeja që si në zgjedhjet vendore të vitit 2007, ashtu edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, Partia Lëvizja e Legalitetit doli në koalicion me PD pa asnjë kusht paraprak. Pavarësisht kësaj dhe modestisë së deritanishme, partia Lëvizja e Legalitetit nuk mund të shpërdorojë, duke lënë pafundësisht në pritje, vlerat e saj ideore dhe programore që kanë lidhje me themelet e shtetit, apo edhe potencialet njerëzore që janë të afta për t’i materializuar ato. Ne kërkojmë që së paku, në përputhje me votat që na akorduan grupet e numërimit, të respektohet marrëveshja dhe të mundësohet dhënia e kontributit tonë në të gjitha nivelet e qeverisjes”, deklaroi më tej, nënkryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Sulejman Gjana.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›