“PS po i rikthehet politikës së bojkotit - reforma zgjedhore, pa kërcënime”

Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Astrit Patozi reagoi në lidhje me deklaratën e kreut të PS-së Edi Rama, i cili u shpreh një ditë më parë, se mazhoranca s’ka vullnet për të realizuar reformën zgjedhore. Gjatë diskutimeve në seancë plenare, Patozi u shpreh se “mazhoranca e sheh deklaratën e Ramës si një rikthim në politikën e vjetër të bojkotit dhe marrëdhënies së kushtëzuar me parlamentin”.
“Në një kohë kur mazhoranca dhe opozita janë në bisedime, ai bën deklarata provokuese që politika të rikthehet në konflikt e të bllokohen bisedimet. Shqetësimi i Ramës për reformën zgjedhore është i parakohshëm dhe i nxitur nga një dëshirë e tij e brendshme. Reforma zgjedhore të cilën Edi Rama u nxit ta shpallë të falimentuar ka nevojë për mbështetje të fortë politike. Kryetari i PS në vetë të parë, por edhe figura të tjera të PS po përpiqen të minojnë bashkëpunimin duke dhënë mesazhin më të keq në grupet e punës për reformat. Tradita jonë ka qenë e tillë që në asnjë rast komisionet për reformën nuk janë ngutur e ka pasur gjithnjë kohë shtesë të dhënë nga Kuvendi”, u shpreh demokrati, Patozi.
Ai vuri në dukje se “mazhoranca nuk do të plotësojë tekat e opozitës”.
Sipas tij, një proces konsensual nuk mund të bëhet nën diktatin e ndonjërës palë. “Nuk e tërheq dot Edi Rama mazhorancën zvarrë në hanet e tij politike”, tha më tej Patozi.