“Absurd dënimi i komisionerëve me 8 vite burg, Rama kërkon të hakmerret ndaj njerëzve të tij”

Kryeministri Berisha e cilëson të papranueshme filozofinë e PS-së, të bazuar në urrejtjen ndaj shqiptarëve, për humbjen e zgjedhjeve
Kryeministri Berisha e cilësoi absurd propozimin e Partisë Socialiste gjatë ndryshimeve në Kodin Penal, për dënimin me 8 vjet burg të komisionerëve që shkelin ligjin elektoral. Për shefin e ekzekutivit, Edi Rama kërkon të zbrazë të gjithë pamfletin famëkeq ndaj komisionerëve të tij, të cilët i ka akuzuar për ‘tradhtar’, pasi humbi zgjedhjet.
Sipas Berishës, asnjë gjykatës s’do pranojë të dënojë nga 5 deri në 8 vjet burg për një krim dokumenti.
“Ne kemi pranuar deri tani, çdo propozim tuajin, edhe nga më absurdet, por që nuk prekin disa parime themelore. Gjeni ndonjë Kod në botë që të ketë dënim me 8 vjet burg, për procesin zgjedhor. Kodi nuk bazohet në urrejtjen që t’i akumulon ndaj të tjerëve, për humbjen tënde. Sipas teje, 25 mijë komisionerë socialistë të tradhtuan, atëherë t’u japësh nga 5 deri në 8 vjet burg. Ju po përsërisni në këtë Kod, pamfletin famëkeq, ushtarak të vitit 2007, që nuk jua zbatoi kush. Si jua thotë mendja, a ka gjykatës mbi tokë që të pranojë të dënojë dikë 8 vjet për një krim dokumenti? Ku ndodh kjo? Vetëm në atë regjim që ekziston ende në kokën e disave prej jush. Ju besoj keni lexuar për raste, edhe kur e kapin si spiun, duke i dhënë informata shtetit tjetër, e dënojnë 4 a 5 vjet. Nuk mund të ekzistojë filozofia e bazuar në urrejtjen ndaj armikut, vetëm se unë humba zgjedhjet. Unë pyes si ka mundësi që ju dilni para shqiptarëve me kërkesën për 8 vjet burg, për komisionerët tuaj, sepse komisionerët tanë nuk i keni akuzuar kurrë, nuk keni paraqitur as edhe një fakt të vetëm ndaj tyre. Të gjithë betejën ju e bëtë me komisionerët tuaj”, u shpreh Berisha.
Por, kryeministri tha se në sajë të marrëveshjes mes dy krahëve politik, ndryshimet e propozuara nga opozita, do të marrin edhe votën e mazhorancës.
“Gjithsesi, ne do ta votojmë atë, natyrisht, do të marrim një mendim të ODIHR-it dhe as edhe një rekomandim i vetëm ODIHR-it nuk është bllokuar dhe nuk do të bllokohet”, tha ai.