E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: “Lejet e ndërtimit, për 55 ditë - më 8 mars, konkursi ndërkombëtar për zgjatimin e bulevardit”

24-02-2012 / Gazeta 55

Kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha garantoi dje se brenda këtij muaji inaugurohet sporteli me një ndalesë, për të gjitha lejet e licencat

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha mori pjesë dje në lançimin e projektit: “100 biznese kombëtare, 100 produkte kombëtare, 100 ditë aktivitete, për 100 vjetorin e Pavarësisë”. “Javët e biznesit kombëtar” është konceptuar si panair i produkteve shqiptare, i cili do të nisë në Tiranë, më datë 14 dhe 15 mars, për të vazhduar më pas në Maqedoni, Mal të Zi, Kosovë dhe në Preshevë.
Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha theksoi se ky është një moment i mirë, për të nisur planifikimin për 100 vitet e ardhshme të kombit shqiptar.
“Nuk mjafton vetëm vullneti i mirë, nuk mjafton vetëm dëshira e mirë, nuk mjafton vetëm patriotizmi i shprehur me fjalë apo me mënyra të tjera. Mënyra më e mirë për të nisur rrugëtimin tonë drejt 100-vjetorit tjetër të kombit shqiptar, në rrethana krejtësisht të tjera nga 1912-a, është t’i përvishemi punës, gjithsecili në fushën e vet”
Kryebashkiaku Basha ka bërë të ditur lehtësirat që Bashkia e Tiranës po i ofron çdo ditë biznesit, mes të cilave është edhe sporteli unik, që nis funksionimin brenda këtij muaji. Lidhur me një nga problemet më shqetësuese, kohëzgjatjen për marrjen e një përgjigje për lejet e ndërtimit, Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha bëri të ditur se kohëzgjatja nuk do të jetë më shumë se 55 ditë, më e shkurtër se mesatarja e rajonit, që është 75 ditë.
“Ne, këtë muaj, siç kam premtuar inaugurojmë sportelin me një ndalesë, shërbimin me një ndalesë, për të gjithë lejet e liçencat. Nëse sot, mesatarja e dhënies së lejeve të ndërtimit në rajon është 75 ditë, qyteti i Tiranës do ta presë këtë në 35 ditë, duke shtuar këtu edhe 20 ditë, të periudhës së detyrueshme për konsultim, nga ligji i ri i Urbanistikës. Çdokush që do të aplikojë për një leje ndërtimi, në qytetin e Tiranës nuk do të kalojë më shumë se 55 ditë pa përgjigje, nga të cilat 35 ditë do të jetë ndërveprimi me Bashkinë e Tiranës, në sportelin me një ndalesë dhe 20 ditë, periudha e shpalljes në regjistrin publik”.
Po kështu, Basha bëri të ditur se Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim konfirmoi një grant prej 500 mijë eurosh, kontribut i qeverisë italiane, si një nga partnerët e BERZH-it, për fizibilitetin e Stacionit të Ri Multimodal të Pasagjerëve në Tiranë, ndërsa më datë 8 mars do të zhvillohet konkursi ndërkombëtar për bulevardin e Tiranës:
“7 prej 20 studiove më të mira arkitekturore të botës, më datë 8 mars do i bëjnë një dhuratë jo të zakonshme grave të Tiranës dhe Shqipërisë, duke prezantuar 7 maketet e tyre, për projektin e Bulevardit të ri të Tiranës, nga Stacioni i Trenit, deri tek Parku i Paskuqanit dhe të lumit të Tiranës, si dhe rikonfigurimin urban të 14 km katrorë, 1/5 të Tiranës. Hapet jo thjesht një kapitull i ri në urbanistikë, por një shans i jashtëzakonshëm për biznesin shqiptar, për të marrë pjesë në një vepër, që edhe kjo është për 100 vitet e ardhshme, sikundër bulevardi që kemi trashëguar provoi të ishte një vepër për 100 vitet e kaluara, apo 80 vitet e kaluara. Ky konkurs do të jetë i hapur për publikun, do të jetë i hapur për mediat, por ky konkurs duhet të shikohet me mendje të hapur nga kushdo që beson tek energjia dhe optimizmi i qytetit të Tiranës, pavarësisht nëse jeton në Tiranë apo jo dhe duhet të besojë se Bashkia e Tiranës do i konsiderojë të gjithë ata partnerë potencialë, për zhvillimin e kësaj ndërmarrjeje historike, faktikisht dyfishimit të qytetit të Tiranës, në kuptimin urban të fjalës, si aleatë të vetë, në përmbushjen e kësaj axhende ambicioze”, tha ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›