Mbërrin sot në Atdhe trupi i pajetë i Kapiten Feti Voglit
Në ceremoninë mortore marrin pjesë krerët më të lartë të shtetit
Transportohet drejt Gjermanisë për mjekim të specializuar, Nëntetar Aleksandër Peci
Trupi i pajetë i Kapiten Feti Vogli, i rënë në krye të detyrës gjatë misionit paqeruajtës në Kandahar të Afganistanit, mbërrin sot në orët e para të mëngjësit në atdhe. Ministria e Mbrojtjes konfirmoi dje se sot në orën 03:15 të mëngjesit, pritet mbërritja e avionit ushtarak, që mbart trupin e të ndjerit, ku do të jenë trumbetat ato që do të njoftojnë për daljen e arkivolit nga avioni. Ceremoia mortore është parashikuar që të respektojë protokollin, ku veç ceremonisë mortore familjare e parashikuar nga ora 06:45 – 10:00, më pas arkivoli me trupin e të ndjerit do të zhvendoset për në Pallatin e Kongreseve. Në këto homazhe do të marrin pjesë, Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, Xhemal Gjunkshi, Kryeministri Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli si dhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Ndërkohë që pas përfundimit të këtyre homazheve do të nisë dhe rreshtimi i pjesëmarrësve në ceremoni për lëvizjen drejt Varrezave të Dëshmorëve të Atdheut, ku do të jetë dhe banesa e fundit e Kapiten Feti Voglit. Ndërkaq, i mbetur i plagosur në të njëjtin atentat terrorist që i mori jetën Kapiten Voglit, Nëntetar Aleksandër Peci është transportuar dje drejt Gjermanisë, për mjekim më të specializuar, pas 2 ndërhyrjeve kirurgjikale. Nëntetari Peci është transportuar nga Spitali Amerikan i Bazës Ajrore të Bagramit, në veri të Kabulit drejt Gjermanisë dhe rreth orës 08:45 minuta të mëngjesit të djeshëm, ka mbërritur në Spitalin Ushtarak Amerikan në Landstuhl, në Gjermani”. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes Nëntetar Peçi është pritur nga Përfaqësuesi ynë Ushtarak në Shtabin e NATO-s në Bruksel, Kundëradmiral Kristaq Gerveni dhe Përfaqësuesi Ushtarak në Komandën e ACO, kolonel Pirro Ahmetaj. Aktualisht nëntetar Aleksandër Peci është nën kujdesin e drejtëpërdrejtë të mjekëve të Spitalit Ushtarak Amerikan në Landstuhl, në Gjermani.
Basha, ngushëllime në familjen e dëshmorit të Atdheut, Feti Voglit
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka shprehur dje ngushëllime në familjen e “Dëshmorit të Atdheut” Kapitenit Feti Vogli, i cili humbi jetën 3 ditë më parë në krye të detyrës në Kandahar të Afganistanit.
Kryebashkiaku Basha u ka shprehur në emër të tij personal dhe të qytetarëve të Tiranës familjarëve të Kapiten Feti Voglit ngushëllime për ndarjen nga jeta të njeriu të tyre të dashur. Me veprën e tij, Kapiten Feti Vogli dëshmoi, tha Basha, se ne sot tregojmë me vepra dhe jo me fjalë se jemi plotësisht të zotë, po aq të zotë sa aleatët tanë të mbrojmë vlerat e përbashkëta që qëndrojnë në themel të asaj që na bashkoi me aleancën e Atlantikut të Veriut dhe asaj që na bashkon, në përpjekje dhe sfidat tona për t’i siguruar qytetarëve shqiptarë për brezat që vijnë standardet, sigurinë, lirinë, demoktracinë dhe të mirat që gëzojnë aleatët tanë.
“Si qytetar por edhe në emër të qytetarëve të Tiranës jam këtu për të ndarë dhimbjen me familjen Vogli për humbjen e djalit të tyre të shtrenjtë, për t’u ofruar ngushëllimet e mia edhe në emër të qytetarëve të Tiranës por edhe për të njohur nga afër këtë familje që nxori një hero si Kapiten Vogli. Me veprën e tij ‘Dëshmori i Atdheut’, Kapiten Feti Vogli na kujton se kufijtë e atdheut tonë, jo në kuptim fizik por të vlerave që përfaqëson atdheun për çdo qytetar, vlerat e lirisë, demokracisë dhe sigurisë, janë sot shumë më të mëdhenj dhe shumë më të shtrirë. Sot këto vlera mbrohen në territore të tilla si Afganistani ku trupat shqiptare operojmë krah për krah me aleatët tanë. Ne sot tregojmë me vepra dhe jo me fjalë se jemi plotësisht të zotë, po aq të zotë sa aleatët tanë. Sakrifica e Kapiten Feti Voglit dëshmon se jemi gati që me sakrificën e bijve tanë të mbrojmë këto vlera të përbashkëta që qëndrojnë në themel të asaj që na bashkoi me aleancën e Atlantikut të Veriut dhe asaj që na bashkon, në përpjekje dhe sfidat tona për t’i siguruar qytetarëve shqiptarë jo vetëm sot, apo nesër, por për brezat që vijnë standardet, sigurinë, lirinë, demokracinë dhe të mirat që gëzojnë aleatët tanë”, tha kryebashkiaku Lulzim Basha.