Ruçi e Rama, ideatorë të ultimatumeve për rikthimin e bojkotit parlamentar

Siç duket gjithçka është e organizuar dhe PS po mendon seriozisht bojkotin e Kuvendit dhe kushtëzimin e raporteve me institucionet. Paralajmërimet për rikthim të bojkotit, bëhen në një moment kur emergjenca kohore nuk fal zvarritjen e reformave dhe tekat politike të lidershipit socialist, i cili si gjithmonë progresin e vendit e faturon si regres të aksioneve të tij politike.
Pa kujtuar se bojkotet, kushtëzimi i raporteve me institucionet dhe dhuna ndaj institucioneve, i kanë sjellë dështime të panumërta, duke e nxjerrë në pension politik jo më larg se një vit më parë (8 maj 2011).
Kryetari i grupit kuvendor socialist, Gramoz Ruçi deklaroi dje në Kuvend se shqetësimi i opozitës është se, mazhoranca po cilëson si teka të PS-së rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për reformën zgjedhore.
“Ajo që kemi trajtuar në konferencën e kryetarëve është se mungon vullneti politik për reformën zgjedhore, jo për të plotësuar tekat e opozitës por rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Refoma nuk ka ngecur nga tekat e opozitës, por ka ngecur në 5 pika që nuk janë kërkesa të opozitës. Listat e zgjedhësve i kërkon raporti, kartat e identitetit, numërimin, KQZ-në dhe çështjen e Kolegjit Zgjedhor i kërkon raporti i OSBE/OPDIHR-it”, deklaroi Ruçi.
Sipas Ruçit, opozita ka bërë detyrën e saj dhe ka përmbushur detyrimet për ato që është rënë dakord në marrëveshjen me mazhorancën.
“Ato reforma që para pak kohësh ne kemi nënshkruar bashkërisht për një reformë zgjedhore, për rregulloren e Kuvendit dhe për ligjet me shumicë të cilësuar. Opozita ka bërë detyrën e saj dhe brenda marsit ne do të japim kontributin dhe votën tonë”, u shpreh socialisti Ruçi.
Kuptohet se qëndrime të tilla, paraprakisht të unifikuara mes drejtuesve të PS, kanë për qëllim tensionimin e situatës politike, pas kërcënimeve të këtij fillim viti me tërheqjen e ligjeve me 3/5, se opozita s’do jepte konsensusin për miratimin e tyre.
Strategji e mirëfilltë në realizimin e qëllimit hipokrit, për të zvarritur reformat dhe vonuar integrimin. Në prag të muajit mars, vendimtar për progresin e Shqipërisë drejt integrimit në BE, kur Brukseli pritet të japë një vlerësim konkret lidhur me kërkesën e Shqipërisë për ‘statusin kandidat’, Edi Rama duke mos qenë në gjendje të bllokojë ligjet me shumicë të cilësuar (kjo për shkak të presionit ndërkombëtar), PS kushtëzon reformën zgjedhore, një tjetër rekomandim si pjesë e 12 prioriteteve të Bashkimit Evropian, me ndryshimet kushtetuese.