E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS rinis protestat nga Lushnja

Autori i Lajmit: Redaksia

Kur deputetët e Partisë Socialiste kërkonin hetimin e zgjedhjeve në Parlament, drejtuesit e Partisë Socialiste në Lushnjë nisën një tubim për të vënë në zbatim programin e qendrës për ta zhvilluar në dy drejtime kërkesën për transparencë. Në këtë tubim morën pjesë me dhjetëra qytetarë lushnjarë. Turi i protestave të Partisë Socialiste nisi dje nga qyteti i Lushnjës. Tubimi nisi në orën 19:00 dhe udhëhiqej nga drejtuesit lokalë të PS. Lajmi konfirmohet gjithashtu edhe nga zyra e shtypit e PS-së, që e cilëson mitingun si një aktivitet të drejtuesve lokalë të partisë. Pas protestës në këtë qytet pritet që të ketë mitingje dhe në qytetet e tjera të vendit, sipas një plani të organizuar nga drejtuesit kryesorë të Partisë Socialiste. Objekti kryesor i protestave është hapja e kutive të votimit, duke bërë të mundur transparencën e plotë të zgjedhjeve. Por këto protesta do të fokusohen dhe në krizën ekonomike dhe problemet që ka vendi, duke kërkuar largimin e qeverisë. Në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste në Tiranë, kreu i PS-së, Edi Rama, u shpreh se qëllimi i protestave “do të jetë hapja e kutive dhe largimi i qeverisë Berisha”. Protesta në Lushnjë u drejtua nga krerët lokalë të PS-së dhe deputetët e saj në Kuvend.

Ky lajm është publikuar: 02/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›