E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhafa: “Ska kompromis pa u hetuar zgjedhjet”

Autori i Lajmit: Redaksia

Deputeti i Partisë Socialiste e nisi fjalën tij në sallën e Kuvendit duke i uruar mazhorancës “Gëzuar festën e 1 Prillit”. Xhafa deklaroi më tej se PS ka paraqitur në këtë sallë disa kërkesa ligjore, të cilave askush, as vetë kryeministri, nuk u ka kthyer përgjigje. Kjo, sipas Xhafës, tregon se mazhoranca nuk ka dëshirë ta zgjidhë këtë krizë.
“PS hyri në Kuvend me një kërkesë serioze, ne kemi dhënë zgjidhje konkrete, askush nga ju nuk u ka dhënë ende përgjigje kërkesave tona, as vetë kryeministri. Cili është pengimi ligjor që nuk ju lejon ju të hapni kutitë? Çdo ditë e më shumë po mundoheni të mbyllni rrugët e daljes së vendit nga kriza në vend që të gjeni mundësinë për ta zgjidhur atë”, – tha Xhafa. Socialisti Xhafa nënvizoi edhe një herë se PS është në këtë sallë për transparencën e plotë të zgjedhjeve, dhe se kjo është një e drejtë ligjore dhe PS nuk pranon asnjë kompromis. “Lajmet e këqija nga jugu në veri për varfëri ekonomike rëndojnë mbi qeverinë tuaj. PS në Kuvend për të konfirmuar se nuk pranon asnjë kompromis në kundërshtim me kërkesat e saj, kemi pranuar rezultatet e zgjedhjeve, por nuk do të heqim dorë nga kërkesa kushtetuese për transparencën e zgjedhjeve”, – u shpreh Xhafa. Ndërsa kryeparlamentarja Topalli iu përgjigj se nuk do ti kthente përgjigje sot më 1 Prill, duke lënë të hapur debatin.

Ky lajm është publikuar: 02/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›