E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-së I DUHET NJE LIDER, JO THJESHT NJE KRYETAR

Rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit, i bëri tepër aktuale disa të vërteta teorike mbi rolin e lidershipit dhe të përgjegjësive të tij politike e personale, në një shoqëri demokratike. Pa u dhënë ende zyrtarisht rezultatet përfundimtare nga KQZ-ja, nisi menjëherë majtas e djathtas fushata kundër kreut të PS-së, Edi Rama, sikur zgjedhjet të mos paskëshin objektiv tjetër përpos largimit të tij nga drejtimi i forcës politike më të madhe dhe më të organizuar në vend, Partisë Socialiste! Nuk munguan të dalin në skenë, rrëmbimthi e si të detyruar, pretendentët e parë për kreun e PS-së, pikërisht disa nga anëtarët e kryesisë, të cilët jo vetëm nuk bënë një kritikë në adresë të Edi Ramës gjatë katër viteve, por edhe u shprehën gjatë fushatës zgjedhore: "Ne do të fitojmë se kemi Edi Ramën". Nga ana tjetër, media, sidomos ajo e prezantuar më afër qeverisë, e bëri këtë temën kryesore të ditës, si për të harruar defektet e shumta të zgjedhjeve...

PS, kryetari dhe "mocionistët..

Jam pozicionuar kundër këtij "nxitimi" apo fushate të tillë, gjatë një bisede televizive në mesin e korrikut, ku shpreha opinionin se "humbja në zgjedhje e PS-së, sipas statutit, ndërpret mandatin e kryetarit, por përmban edhe mundësinë e rikandidimit, pa përjashtuar konkurrimin edhe të kandidatëve të tjerë, në një kongres të jashtëzakonshëm që duhet thirrur sa më parë..." Një javë më pas, u mblodh Asambleja Kombëtare e PS-së për të shprehur qëndrimin ndaj zgjedhjeve të 28 qershorit dhe të institucioneve që do të dalin prej tyre. U paraqitën për diskutim dy projektrezoluta, njëra nga Edi Rama dhe tjetra nga një grup "mocionistësh" rreth sfidantëve për postin e kryetarit të PS-së. Që në fillim spikatën parregullsitë më të rëndomta: Rezoluta e parë u paraqit si rezolutë e kryetarit, pa marrë ndonjë miratim të kryesisë, që është një rregull minimal organizativ. Pra, u duk sikur donte t‘u bënte karshillëk atyre që mendonin ndryshe, rreshtit të "mocionistëve", disa prej të cilëve deputetë të rizgjedhur, apo të tjerë të mbetur jashtë "listave të kryetarit", ulur në sallë pranë njëri-tjetrit. Të dy projektet ishin të ngjashëm, me përjashtim të kërkesës për dorëheqje të kryetarit dhe të moskandidimit të tij në kongresin e ardhshëm, që përbënte boshtin e projektrezolutës së dytë, e cila kur u votua mori vetëm 15 vota nga gati 40 firmëtarë.

Gjithsesi, u duk sikur kjo mbledhje e tensionuar, do t‘i përngjante të famshmes mbledhje të KPD-së së 4 dhjetorit 2002, që e dirigjuar nga Nano, ka hyrë në historinë e PS-së si një njollë e turpshme, ndaj votova si shumica dhe në përputhje me statutin që ta zhvillonim mbledhjen të mbyllur për kamerat. Ǒtë dëgjoje të nesërmen? Berisha, në një konferencë shtypi të posaçme, denoncoi "diktaturën në PS", që kur i leverdis nuk ngurron ta quajë "pasuri kombëtare", e ta etiketojë Edi Ramën "politikan të vjetër", ndonëse indirekt mori në mbrojtje "mocionistët", duke i quajtur "të rinj" e demokratë të vërtetë! Harron "lideri historik" Berisha, se në raste të tilla nuk mbahet mend që ai të ketë bërë një mbledhje të hapur në partinë e vet!

Në të vërtetë, si për Berishën ashtu edhe për "mocionistët e rinj", në radhët e cilëve gjen edhe arrivistë "klasikë", e vetmja gjë që sot ka rëndësi, është baltosja e Ramës dhe "çlirimi" sa më shpejt prej tij. Me një spektakël të "tipit KPD-2002", ata mendonin të hapnin siparin e një dramë të re, për një luftë të brendshme në PS. (Eh, sa do t‘i shërbente Berishës një spektakël i tillë për një përgjigje asimetrike ndaj vërejtjeve të shumta të PS-së e të vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet e 28 qershorit 2009!) Ndaj, "mocionistët" ishin përgatitur gati të gjithë me fjalime të shkruara e të rakorduara. Sa keq që u dolën huq "fjalimet historike", sepse mbetën vetëm "pronë" e asambleistëve! Menjëherë u krijua bindja se shumica e diskutantëve e sidomos Blushi dhe Malaj, po reflektonin njëanshmëri në vlerësimin e momentit dhe në kuptimin e përgjegjësive historike para të cilave gjendet Shqipëria dhe jo vetëm PS, apo kryetari i saj. Asnjë fjalë për nivelin mjeran të zgjedhjeve. Gjithë bateritë mbi Edi Ramën dhe "rezolutën e tij". A mund të shpresohet që të dalë lideri që i duhet PS-së nga radhë e praktika të tilla? Kjo më nxiti që të rifreskoj, konkretizoj e bëj të njohura disa momente nga filozofia e liderimit në politikë...

Pluralizmi politik nuk pranon stanjacion liderësh

Siç dihet, një nga vlerat e spikatura dhe superioritetet e demokracisë pluraliste, është mosnjohja e status-quosë dhe e stanjacionit të liderëve. E megjithatë, te ne një vlerë e tillë njihet e zbatohet vetëm pjesërisht, sepse në këtë fushë reminishencat e kulteve e të liderëve të përjetshëm janë ende të forta. Në historinë e partive kryesore në Shqipëri, njihet vetëm rasti i Nanos, i cili dha dorëheqje të parevokueshme pas humbjes së zgjedhjeve të 2005-ës, ndërsa Berisha nuk e njeh dorëheqjen, sikundër nuk e ka dhënë atë kur ka humbur alternativat e tij në zgjedhje apo referendume. Madje, ai deklaron hapur, se do të vazhdojë të qëndrojë në pushtet e në drejtimin e PD-së "derisa t‘i japë ymër Zoti!"

Në praktikën botërore, raste të tilla të ngjashme i janë imponuar mendimit politik e filozofik që të përpunojë kritere, kode etike e rregulla, si për zgjedhjen e formimin e liderëve, ashtu edhe për zëvendësimin e tyre kur e diktojnë "ndryshimi i kontratës" e vullneti i "shumicës sovrane", së cilës i njihet me ligj, apo me statute të miratuara demokratisht. Në këtë rrafsh, Partia Socialiste, e njohur për demokracinë e brendshme dhe mendimin ndryshe, ka sanksionuar në statutin e vet rregulla për të mos lejuar një liderim të pakufizuar e të pakushtëzuar me asgjë. Një nga këto rregulla është sot në qendër të debateve brenda dhe jashtë PS-së, ajo e ndërprerjes së mandatit të kryetarit në rast humbjeje të zgjedhjeve politike. Askush nuk e vë në diskutim zbatimin e kësaj klauzole statutore, megjithatë, nuk përjashtohen dy-tre momente që shtrojnë nevojën për diskutime e sqarime më të hollësishme...

Pa fitimtarë të mirëfilltë

Analiza e zgjedhjeve të 28 qershorit është krejt e veçantë po ta shohim nga këndvështrimi ligjor, politik e partiak. Por, ajo bëhet tepër serioze, nëse vlerësojmë shkallën e deformimit e produktin që doli prej tyre, si për numrin e votave e mandateve të subjekteve elektorale, ashtu edhe për "marifetet" politike të përdorura në të dy krahët për t‘ia hedhur njëri-tjetrit. Nga ky këndvështrim i zgjedhjeve, nuk mund të flitet për të fituar, sepse sovrani, sipas rezultatit zyrtar tashmë të shpallur nga KQZ-ja, votoi barabar si qeverinë dhe opozitën, si të djathtën edhe të majtën, 70 me 70. Berisha nuk fitoi, ndonëse deklaroi të merrte më shumë deputetë se në vitin 1992, madje nuk arriti as numrin e mandateve të domosdoshme për të qeverisur. Ndërkohë, etja e tij për të qeverisur me çdo kusht e çmim, nëpërkëmbi vullnetin e popullit duke stisur "prenotimin", e një "gjymtyre të së majtës", LSI-në!

Nga ana tjetër, nuk fitoi as Rama, i cili gjithashtu e personalizoi fushatën duke deklaruar se do të merrte mandatet e nevojshme, që i jepnin mundësi për të qeverisur i vetëm, pa nevojën e aleatëve. Pra, në këtë kuptim edhe ai është humbës. Pa folur pastaj për standardet që janë të humbura për të dy palët, sidomos atë qeverisëse, e cila kishte përgjegjësinë ligjore për plotësimin e tyre. Për pasojë, në të dy krahët e politikës, vërehet se kemi një situatë paszgjedhore të veçantë e të brishtë, se jemi në një proces të pakryer, në një balancim politik të sajuar, që realisht nuk mund të ketë jetëgjatësi. Ndaj më duket nonsens politik, kur ndonjë anëtar kryesie i PS-së, apo sekretar për çështjet zgjedhore, në vend që të kërkojë me këmbëngulje analizën e kësaj situate paszgjedhore e të përthyerjes së saj në PS, mjaftoi ta quajë "një teknologji e taktikë për të justifikuar rikandidimin e kryetarit". Kjo ka krijuar jo vetëm pasivitet të pafalshëm në PS, por dhe rreshtime të panevojshme: me kë jam unë, me kë je ti; kush është për analizë e kush jo; kush sheh hapësira rikandidimi në statut e kush jo? Dilema të tilla, shtrohen sot pikërisht kur duheshin të tjera preokupime e veprime politike, duke u siguruar njëherësh edhe nga goditjet prapa krahëve, që në këto zgjedhje kanë qenë të shumta. Për më tepër, e majta u zu në befasi prej tyre, nga që ende nuk dihet se nga vinin, nga e merrnin dhe vazhdojnë të marrin frymëzimin, financimin dhe forcën... Në këtë rast nuk është fjala për "shpërndarje faji", por për të marrë përgjegjësi sipas hierarkisë në PS.

Eh, sa pak po ndihen në PS lidhjet shpirtërore dhe solidariteti si parim i së majtës, që dikur përbënte një karakteristikë dalluese të saj! Sa pak frymë bashkëpunimi, mbështetjeje, por dhe kritikë reciproke paska pasur në kryesinë e PS-së! Tërë këta "trima" që dalin tani me rezoluta alternative ku kanë qenë? Pse kanë pritur humbjen e kryetarit, sikur humbja e tij të mos ishte njëherësh edhe humbje e PS-së? Apo aq u bënte për këtë, mjafton të zinin vendet e para në listën që do të hartonte kryetari! Më të çuditshmen, o socialistë, mësojeni në apologjinë e sekretarit për çështjet zgjedhore! Duke shtruar sentencën: "Kemi heshtur kur duhej të flisnim dhe kemi folur kur duhej të heshtnim", ai sikur na thotë, as më shumë dhe as më pak, një absurditet që i implikon keq gjithë hierarkinë drejtuese të PS-së. Sipas tij, është heshtur "për të mbështetur pa asnjë lloj rezerve e pengese Edi Ramën drejt fitores dhe ky paska qenë vendimi i shumicës e "një eksperiencë e re"! Madje kjo "shumicë" paska qenë "distant edhe ndaj ndonjërit që paska folur kur duhej të heshtte", për ta lënë "rehat" kryetarin! Se, me demek, na zemërohet dhe nuk na çon në fitore! Del pra që kryetari nuk paska pasur ndonjë ndihmë për të qenë, ata që e rrethonin i kanë rrahur krahët, i kanë thënë vetëm puna e mbarë dhe e kanë lënë të gabonte duke e pritur katër vjet në shteg si gjahun për ta goditur. Jo, jo kështu asnjëherë nuk mund të funksionojë normalisht dhe të jetë e suksesshme një parti. Mbase për këtë sajohet nga sekretari edhe sentenca tjetër justifikuese se: "po flas sot jo për atë që ka ndodhur dje, por për atë që do të ndodhë nesër..."! Mjafton që të jetë i kërkuar edhe nga ai që do të vijë në krye!!!. Dhe, kuptohet, ky duhet të jetë një tjetër!.

Kryetarë apo dhe liderë?

Do doja mirëkuptimin e lexuesit, nëse nuk do të tingëllonte aq modeste shprehja, që unë i njoh mirë sofizmat dhe sofistët, por u përkas atyre që nuk heshtin kur duhet folur..., pasi nuk më ka pëlqyer asnjëherë që të radhitem qorrazi me "heshta-nukët" të cilët presin "nën pemë" për të thënë një fjalë. Me këtë rast, ndaj dashamirësinë mes dy palëve (nëse mund të flitet për palë mbi bazën e ndarjes që u bë në mbledhjen e Asamblesë së PS-së më 28 korrik), për t‘i shikuar gjërat më me realizëm. E para, zgjedhjet nuk i plotësuan standardet, e dyta, manipulimi i tyre ishte një proces i filluar prej kohësh, që nga hartimi i Kodit Zgjedhor, zvarritja e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti e deri te loja me kamera e me sofistikimin e numërimit të votave, dhe e fundit, të paktën këto duhen pranuar, doemos nga palët, si pikënisje e analizave.

Nuk mund të abstraktohet nga të vërteta të tilla, për të arritur në përfundimin e "mocionistëve", që shkakun e humbjes së zgjedhjeve të mos e kërkojmë gjetkë, por te PS-ja dhe veçanërisht te kryetari i saj, Edi Rama! Ndërkohë, mendoj, se nuk vepron mirë as krahu tjetër rreth kryetarit, i cili shkakun e humbjes synon ta shohë vetëm te manipulimi, te zgjedhjet pa standarde etj., për të cilat ai nuk paska përgjegjësi. Kjo, përsëri, e bën të domosdoshme një analizë të plotë në kongres, i cili s‘ka pse konceptohet vetëm si kongres për të zgjidhur një apo dy kërkesa të statutit për mandatin e kryetarit. Mendoj, se do të jetë gabim të vijohet praktika e disa kongreseve të mëparshme, që janë marrë kryesisht me çështje të veçanta organizative e ndryshime statutore, pasi kjo ndikon në mënjanimin e analizave kritike të punës, të arritjeve apo të dështimeve dhe nuk ndihmon që alternativa e majtë të përpunohet në mënyrë të studiuar, për mos t‘ia lënë si një çështje ekskluzive "njëshit" të partisë, pasi në këto rrethana ndryshon tipi i saj dhe partia, nga një forcë politike masive, demokratike, me një program të majtë dhe e hapur për bashkëpunim me alternativa të tjera, shndërrohet në një "parti presidenciale" që u drejtohet të gjithë shqiptarëve pa dallim!

Këtë proces e filloi Nano, i cili arriti të kërkonte deri dhe të drejtën e vetos në parti. Edi Rama në një mënyrë tjetër vazhdoi, në thelb të njëjtën rrugë. Megjithatë, ai ka meritën që e kuptoi se në PS duheshin bërë reforma të thella për ta çuar politikën e partinë tek anëtari i thjeshtë dhe te qytetari. "Dialogu me Shqipërinë" kishte një qëllim me të vërtetë human, të denjë për një parti të majtë. Veçse, Rama duke gjetur frymëzimin te kontaktet me njerëzit, nuk e konkretizoi dhe nuk e bëri aq të kapshëm projektin e vet, madje harroi edhe premtimin për të dyfishuar numrin e anëtarëve të PS-së, për pasojë kontaktet me strukturat e partisë në vend që të forcoheshin u dobësuan. Për më tepër, nga shumë njerëz të strukturave partiake, u mendua se fitorja qëndron diku "përtej të majtës dhe të djathtës" dhe te disa borde të qytetarëve.

Ideja "përtej të majtës dhe të djathtës", që në thelb nuk përfaqëson ndonjë "rrugë të tretë", është një vizion pragmatist i së ardhmes për të kaluar nga "modeli i identifikimit partiak", te votimi me "modelin e zgjedhjes racionale", i parë nga këndvështrimi i dobisë dhe i arritjes së qëllimit. Por edhe një risi e tillë, jo e panjohur në përvojën e homologëve të PS-së, së pari, nuk u sqarua e nuk u kuptua nga anëtarët e kryesisë e jo më nga strukturat në bazë, dhe së dyti, "përtej të majtës dhe të djathtës", duke mbetur si slogan tingëllues, nuk u mbush me përmbajtje konkrete, me ide dhe teza të tjera e për më tepër me objektiva zhvillimi, me premtime të specifikuara për kategoritë e votuesve që janë zvjerdhur nga partitë, për të rinjtë që votojnë për herë të parë, për atë pjesë të të djathtëve që nuk durojnë më "Gërdecëra" etj. "Shtatë çështjet", që u mendua se do të zëvendësonin një program elektoral (disi tradicional, me siglën PS), nuk mund t‘ia arrinin qëllimit dhe kjo krijoi një lloj hutimi në strukturat e partisë, sidomos në rrethe.

Thënë ndryshe, nga këto zgjedhje del se ka një çështje pozicionimi më të mirë të PS në përputhje me realitetin, pa harruar idetë dhe alternativat e së ardhmes drejt së cilës po shkon pluralizmi partiak dhe demokracia zhvilluese. Në këtë rrafsh, do mirëkuptoja iniciativën e "mocionistëve" nëse qëllimi i tyre është korrigjimi, përmirësimi programor, zëvendësimi me të reja i disa tezave që quhen të gabuara prej tyre dhe jo "prerja e kokave", sepse kështu nuk do të guxonte kush të shtronte në parti dhe në politikën shqiptare ide, iniciativa e zgjidhje të reja. Për rrjedhojë, do vazhdonim të kishim kryetarë, por nuk do mund të kishim liderë. Prandaj e quaj të tepërt edhe gjykimin sipas kriterit formalist: "se liderëve nuk u lejohet të gabojnë...".

Pa dyshim ka edhe probleme të tjera në PS, apo çështje që lidhen me drejtimin e partisë gjatë katër viteve të fundit, të cilat meritojnë të kritikohen në mënyrë të argumentuar. Ndërkohë, po qe se nisemi nga parimi, po "të shkanë këmbët nuk të vlejnë as dhëmbët", atëherë do të flitet veçse për të "zezat" e kryetarit dhe për pasojë nuk mund të bëhet fjalë për rikandidimin e tij. Mirëpo, hapësirat statutore nuk e pengojnë rikandidimin dhe janë strukturat e partisë, ato të cilat e votuan Edi Ramën, që kërkojnë rifutjen e tij në garën konkurruese demokratike. Çdo qëndrim tjetër do ta dëmtonte rëndë analizën e pritshme të kongresit e do t‘i orientonte keq edhe platformat konkurruese të kandidatëve për postin e kryetarit, që deri tani janë dy, por mund të shtohen. Gjithsesi, të dy sfidantët, pa asnjë lloj analize dhe vetëm duke marrë për bazë leximin që ata i bëjnë rezultatit të zgjedhjeve, e quajnë të pamundur, të pamoralshëm pra dhe të dëmshëm për PS-në një rikandidim të Edi Ramës. Argumentet që ata sjellin, se "pa zgjedhur një kryetar të ri" nuk do të ketë sukses në zgjedhjet e ardhshme, nuk janë bindëse. E gabuar e tepër e kërkuar është edhe vënia e shenjës së barazimit mes dorëheqjes së Nanos nga zgjedhjet e humbura të 2005-ës (pas tetë vite qeverisjeje të PS-së) dhe ndërprerjes së mandatit të kryetarit aktual, Edi Rama. Ndaj jo pa qëllim po i jepet trajtë kërcënuese duke e përdorur atë si "gogol". Me të drejtë lind pyetja: Cilat janë disa nga tezat që priten të plotësohen e përpunohen në këto "grupe pune"? Thuhet se projekti politik "përtej të majtës dhe të djathtës" i Edi Ramës dështoi dhe prandaj ai s‘ka ç‘bën më në PS. Dakord, por zgjedhjet nuk humbasin nga një ide e karakterit teorik që pret të zhvillohet e të përshtatet sipas kushteve tona në të ardhmen. E megjithatë, PS u votua më tepër se çdo parti tjetër nga elektorati dhe për nga numri i votave radhitet si partia e parë në Shqipëri. Ndërkohë, "e majta e re", apo edhe "partia institucionale", për ta çuar PS-në në pushtet nuk ofrojnë ndonjë alternativë a reformë bindëse. Kështu njëri nga kandidatët, një herë deklaron se është për një PS pragmatiste, për të cilën nuk kanë rëndësi pozicionet e qarta ideore, (pra njëlloj si të thuash përtej të majtës dhe të djathtës), ndërsa në një rast tjetër del me tezën e një "të majte të re", që çuditërisht e quan, njëherësh, edhe "klasike", që duhet të bëjë më majtas për të thelluar dallimin me të djathtën. Në një vështrim të tillë nuk mund të bëhet fjalë për të "majtë të re ", në kuptimin që iu dha të majtës në Europë pas përmbysjes së komunizmit, por për ndarjen klasike të së majtës nga e djathta.

Ky do të ishte një hap i madh prapa, sepse prirja e përgjithshme sot është afrimi i alternativave, konvergjenca ideologjike dhe jo konfliktualiteti, apo thellimi i ideologjizimit. Gjithsesi, autori i një platforme të tillë na vjen vetë në ndihmë kur pohon, se "do ta votoja pa hezitim këdo që do të kishte përpunuar një platformë të ndryshme nga ajo e Edi Ramës"!!! Jo, more zotëri, nuk mund të arsyetohet kështu e për më tepër të pretendosh sot se mjafton të dalësh si "anti-Ramë" dhe të fitosh, kurse ne të tjerët të mos hezitojmë, por vetëm të votojmë. Më pas shohim e bëjmë! Kjo është arsyeja pse nuk mund të hesht kur duhet folur, sepse huazimi i recetave nuk është rruga e duhur për t‘u bërë kryetar e aq më tepër lider, i aftë për të "shëruar" të majtën shqiptare. Prandaj, mendoj, se zgjedhja e ardhshme, duhet konceptuar si ballafaqim idesh, zgjidhjesh e përvojash dhe jo me improvizime dhe aq më pak si ndeshje klanore për një menaxher të radhës. Në këtë vështrim inkurajuese është deklarata e A.Malajt që thotë, se "nuk do të jem në asnjë garë që konceptohet si luftë edhe midis kolegëve".

Nisur nga një shqetësim i përbashkët e dëshira e mirë për të ripërtërirë e forcuar të majtën dhe PS-në, si forca më e madhe politike në vend, le të inkurajojmë kandidimet me qëllim që të zgjedhim ndër kandidatët (pas një shoshitjeje demokratike), atë që i duhet më tepër PS-së në kushtet e një regjimi autoritarist, i cili manipulon votat dhe shpresat e qytetarëve. Në një rrafsh më të përgjithshëm edhe sipas politologëve të kësaj fushe, duhet synuar që lideri të jetë ndër ata që di: së pari, të harmonizojë më mirë përmes veprimit politik, interesat, vlerat dhe idealet mbi bazën e të cilave njerëz të shtresave dhe grupeve të qytetarëve bashkohen në një forcë politike; së dyti, që ka një vizion të qartë për të ardhmen dhe është i aftë të drejtojë përpunimin e kursit politik apo të strategjisë së partisë, ku pasqyrohen prirjet themelore të zhvillimit dhe kërkesat e grupeve sociale; së treti, që zotëron më mirë teknologjinë e realizimit të detyrave të shtruara me zgjedhjen e njerëzve dhe ekipeve të duhura, si dhe ndërmerr iniciativa për reforma e ndryshime progresive; së katërti, që di të frymëzojë besim dhe siguron forma të qëndrueshme të vetorganizimit politik përmes kontakteve direkte e të vazhdueshme me publikun e gjerë, si dhe krijon aleanca të qëndrueshme nga pozita partneriteti; së pesti, që njihet për përkushtim, për vullnet të dallueshëm në punë, integritet moral, aftësi bashkëpunimi nga më të ndryshmet dhe si garant për mbrojtjen, jo vetëm të anëtarëve të partisë së vet, por dhe të qytetarëve nga arbitraritetet antidemokratike, nga shkeljet e të drejtave dhe lirive të njeriut etj.

Pa u zgjatur më tej, kërkesat e mësipërme janë në të vërtetë ndër standardet që përdor politika e sotme botërore, një lloj kodi që i ndihmon zgjedhësit të bëjnë krahasimet e nevojshme midis kandidaturave, para se të vendosin kujt do t‘ia japin votën për lider partie. Pra, çështja e shtruar sot para PS-së është e hapur... Le të diskutojmë, pa tensione dhe përplasje, për të gjetur zgjidhjen më të mirë. Kështu do të mund të japim një model tjetër emancipimi dhe pjekurie.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›