E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS shprehet kundër projektligjit për noterinë

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Sigurisë dhe Administratës në Partinë Socialiste, Ylli Manjani është shprehur sot kundër projektligjit për noterinë duke e cilësuar si shkatërrues për sistemin e noterisë. 

TIRANË - PS është deklaruar e shqetësuar sot për projektligjin që qeveria ka çuar në kuvend për shërbimin e noterisë. Sipas kryetarit të Komisionit të Ligjeve në PS Ylli Manjani ky projektligj sjell pasiguri juridike pasi shkatërron sistemin e noterisë.
“Me këtë nismë qeveria iu garanton shqiptarëve dhe vecanërisht investitorëve kaos juridik dhe pasiguri për çdo dokument noterial. E thënë ndryshe shqiptarët, pas miratimit të këtij ligji nuk do të kenë të sigurtë, as pronën, as shtëpinë, e as investimet e tyre”, tha Manjani. Më tej ai është shprehur se “synimi i qeverisë me këtë projektligj është vetëm shkatërrimi përfundimisht i autoritetit ligjor të shtetit, të lajë duart nga përgjegjësia juridike e shtetit ndaj qytetarëve dhe të forcojë pozitat dominante të zyrës së vetme avokatore pranë Kryeministrit”.
Në përfundim të fjalës së tij Manjani në emër të PS i kërkoi qeverisë dhe maxhorancës të konsedorojnë diskutimin dhe miratimin e këtij projektligji si pjesë të reformës në drejtësi që kërkon konsensus të gjerë. “Është vendi të rikujtojmë se reformat në drejtësi kërkojnë konsensus dhe jo dhunë kartonësh”, theksoi Ylli Manjani.
(a.s/Balkanweb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›