E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetues suedezë në Tiranë për azilet e familjes Haklaj

Dy hetues të Prokurorisë
Federale Suedeze mbërr
ijnë në Shqipëri për grumbullimin
e informacioneve për
pjesëtarët e mbetur gjallë të familjes
Haklaj që kanë kërkuar azil politik.
Burime nga akuza qendrore
thanë se dje, në organin qendror të
akuzës është thirrur Aishe Haklaj,
vajza e madhe e Muharrem Haklajt,
e cila ka rrëfyer peripecitë dhe
rreziqet e pjesëtarëve të familjes së
saj në Shqipëri. Në një prononcim
për gazetën "Shqip", Aishe Haklaj
tha se motivi i thirrjes në Prokurorinë
e Përgjithshme shqiptare ishte
privat. Ndërkaq, burime nga akuza
qendrore thanë se Aishja është
thirrur nga hetuesit suedezë që
kishin mbërritur posaçërisht për
verifikimin e të dhënave të familjes
Haklaj në dosjet hetimore të
policisë dhe prokurorisë. Burime
hetimore pohuan dje se Aishja është
shoqëruar nga avokati Asaf Haderi.
Avokati i kontaktuar me telefon
nga gazeta pohoi se nuk është i
autorizuar nga klienti i tij, Hamdi
Haklaj, për deklarata publike, ndërsa
pranoi se ka mbrojtur interesat
e Hamdiut gjatë "vizitës" në
akuzën qendrore.
Burime konfidenciale nga
Prokuroria e Përgjithshme thanë
dje se nga Suedia e largët kanë
mbërritur dy hetues, të cilët kishin
një qëllim: të mbledhin prova
dhe fakte për kërkesat për azil politik
të disa pjesëtarëve të familjes
Haklaj në Suedi. Ata kanë pretenduar
në gjykatat e vendit skandinav
se qëndrimi i mëtejshëm në
Shqipëri u rrezikonte jetën.
Prokuroria shqiptare tha se, nga
kontaktet me përfaqësuesit e
prokurorisë suedeze, mësuan se
pas informacioneve për ekzekutimet
e shumë pjesëtarëve të familjes
Haklaj, si dhe akuzat e shumta
në drejtim të tyre nga policia shqiptare,
drejtësia suedeze ka konsideruar
arsye madhore që
pjesëtarëve të mbetur gjallë të kësaj
familjeje t‘u sigurohej jeta. Por nuk
kanë mbetur me kaq kërkesat e
tyre, duke aplikuar edhe për azil
politik. Dosja e disa vrasjeve të
pjesëtarëve të familjes Haklaj ka
detyruar gjykatën suedeze të hapë
një proces penal ende i pambyllur.
Ndërkohë është organi i akuzës, institucioni
që do të verifikojë nëse
13 pjesëtarëve të familjes Haklaj u
rrezikohet jeta në Shqipëri. Mësohet
se dy hetuesit suedezë kanë
marrë të gjitha dosjet hetimore,
përfshirë edhe dosjen e tërhequr
të prokurorisë për Hamdi Haklajn,
i cili akuzohej për një vrasje në
Tropojë. Mësohet se edhe avokati
mbrojtës i Hamdiut, Asaf Hadëri,
u ka paraqitur disa deklarata publike
të politikanëve për pjesëtarët
e familjes Haklaj.
Drejtësia suedeze ka pranuar
disa muaj më parë azilin politik për
Hamdi Haklajn, ndërsa ka marrë
në shqyrtim edhe kërkesën e familjarëve
tjerë të tij. Prindërit, fëmijët,
nipër e mbesa, gjithsej 13 vetë, janë
pjesëtarët e familjes Haklaj që
mund të fitojnë të drejtën e qëndrimit
në Suedi. Përveç Muharrem
Haklajt, statusin e azilantit e ka fituar
gruaja e tij, Fatimja, e cila ka rritur
jetimët, fëmijët e vegjël të
djemve të vrarë. Statusin mund ta
fitojë dhe bashkëshortja e Ylli Haklajt,
djalit të vogël të Muharrem
Haklajt, i vrarë më 3 dhjetor 2000,
brenda rrethimit të fortifikuar të
kullës së Haklajve në Kërnajë të
Tropojës, si dhe tre fëmijët e saj të
vegjël. Emri i Fatmira Haklajt, vajzës
së Fatmir Haklajt, i cili u
ekzekutua më 4 nëntor 1999, 50
metra pranë kullës së Mulosmanëve,
në fshatin Bujan, i shtohet
listës së gjatë të pjesëtarëve të
familjes, të cilëve u është pranuar
kërkesa për azil, ndërsa tashmë
pritet që të shqyrtohet nga gjykata.
Vrasjet e të afërmve të tyre, të
fëmijëve, vëllezërve, apo baballarëve,
si dhe rrafshimi i kullës
në Kërnajë, ka detyruar familjen që
të emigrojë ilegalisht në Suedi, por
edhe në vende të tjera.

Sulmet ndaj Haklajve

16 qershor 1997
Vritet në dalje të urës së Milotit, Sokol Haklaj,
ndihmësgjyqtar në Rrethin e Skraparit. Autorët e
këtij krimi janë të pazbuluar
5 janar 1998
Vritet në Qafën e Luzhës, në një atentat me armë
zjarri automatike, Shkëlqim Haklaj, dhe kunati i
Fatmir Haklajt, Artur Demiri
4 gusht 1999
Vriten në afërsi të fshatit Cërnicë, me mina të
telekomanduara, Halil Haklaj e Feriz Kërnaja,
plagosen rëndë Fatmir Haklaj e Fatmir Daka
4 nëntor 1999
Vritet në një pritë në fshatin Bujan, 50 metra larg
banesës së Jaho Salihit, Fatmir Haklaj dhe Sami
Kërnaja, plagoset Jaho Salihi
13 shtator 2000
Sulmohen me armë snajper nga një komando, në
fshatin Kërnajë, Haklajt. Autorët tentojnë të vrasin
Hamdi dhe Ylli Haklajn, por dështojnë
3 dhjetor 2000
Vritet me armë snajper nga një komando me
njerëz të armatosur Ylli Haklaj dhe plagoset Bilbil
Selivrada. Vrasësit, të panjohur
28 mars 2001
Sulmohen me armë zjarri nga një komando me
njerëz të armatosur Haklajt. Shkëmbehet zjarr për
më shumë se 30 minuta. S‘ka viktima
8 maj 2002
Vriten pas një atentati pranë spitalit të qytetit, Elez
Haklaj, 70 vjeç, dhe djali i tij, Çelë Haklaj, 43 vjeç.
Autorët largohen dhe djegin makinën
20 qershor 2006
Qëllohet me plumba kulla e Haklajve. Denoncimi u
bë nga qiraxhiu që jetonte në katin e parë të
shtëpisë, Manush Selivrada
16 shtator 2006
Hidhet në erë me C4 kulla e Haklajve në Kërnajë të
Tropojës. Një sasi e konsiderueshme eksplozivi
është vënë në katër anët e kullës, duke e rrafshuar
plotësisht atë



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›