Dervishi: “Komisioni i Shërbimit Civil, vegël e qeverisë dhe jo në shërbim të nëpunësve civilë”
Partia Socialiste reagon ndaj raportit të Komisionit të Shërbimit Civil për punën e kryer gjatë vitit 2008, të raportuar në Komisionin e Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë. Deputeti socialist Besnik Dervishi tha se ky raport nuk është produkt i vendimmarrjes së Komisionit, por vetëm i kryetares së këtij institucioni. Dervishi tha se KSHC është kthyer në një institucion që mbron veprimet arbitrare të qeverisë dhe anashkalon ankesat e nëpunësve civilë, të shkarkuar padrejtësisht nga administrata shtetërore.
“Është diçka e njohur që Shërbimi Civil gjatë viteve të qeverisjes së PD-së ka degjeneruar në dëm të krijimit të një administrate publike në shërbim të shtetit e qytetarëve. Në këtë këndvështrim, edhe KSHC nuk ka mundur të sigurojë rolin e garantit dhe mbikëqyrësit të zbatimit të Ligjit të Shërbimit Civil. Rasti i djeshëm i raportimit në Komisionin Kuvendor të Ligjeve i KSHC konfirmon edhe një herë gjendjen kritike në të cilën ndodhet sot Shërbimi Civil. Kjo situatë në KSHC ka kohë që është e njohur, por qeverisë i leverdis një institucion i dobët e që nuk funksionon. Mosfunksionimi në këtë rast ka partner qeverinë”, - tha Dervishi. Deputeti socialist tha se administrata publike është karakterizuar nga shkarkime të padrejta të nëpunësve, nga mungesa e transparencës në emërimet e reja, si dhe nga mungesa e ngritjes së një sistemi emërimi e promovimi mbi bazën e meritave. Por sipas Dervishit, këto fenomene nuk janë reflektuar në raportin e Komisionit të Shërbimit Civil, i cili nuk u ka rezistuar presioneve të maxhorancës. “Partia Socialiste vazhdimisht ka denoncuar me forcë presionin e qeverisë mbi institucionet e pavarura e që reflektohet shumë qartë në KSHC, i cili nga një institucion garant i të drejtave të nëpunësve civilë, është kthyer në një institucion që certifikon vendimet arbitrare të qeverisë e që merret me vetveten”, - tha Dervishi.
19 Mars 2009