“PS, sindikatë zaptuesish trojesh publike, dëshmi e përbuzjes së shtetit dhe ligjit”

Reagon deputeti Gent Strazimiri për deputetët roje pallatesh të Dashit dhe Edvinit
Grupi parlamentar i PS është reduktuar ndjeshëm si pasojë e aplikimit të sistemit të dezhurnit në ruajtje të pallateve të paligjshme të Dashit dhe Edvinit. Nisur nga ky fakt Partia Demokratike reagoi dje, duke vlerësuar se konvertimi i deputetëve në polici private, e vendos votën e socialistëve në nivelin më të ulët e më përçmues në historinë e zgjedhjeve shqiptare. Deputeti i selisë blu, Gent Strazimiri deklaroi se reduktimi i deputetëve në sindikatë zaptuesish të trojeve publike, është dëshmia më e qartë e përbuzjes së shtetit, ligjeve dhe qytetarëve të këtij vendi.
“Siç u njoftua nga media, aksioni politik i Grupit Parlamentar të PS, është reduktuar në mbrojtjen fizike, me sistem dezhurni nga deputetët e Dash Pallatit, i cili ka mbirë në mes të njërës nga rrugët e Tiranës, si dëshmi e përbuzjes së shtetit, ligjit dhe qytetarëve. Reduktimi i Grupit Parlamentar në polici private e Dash Pallatëve, Fidel-kullave etj., e vendos votën e socialistëve të dhënë në 28 qershor për integrimin e Shqipërisë në Evropë, në nivelin më të ulët e më përçmues në historinë e zgjedhjeve shqiptare. Reduktimi i PS-së, në një sindikatë zaptuesish të trojeve publike, është sinjali më dëshpërues që mund të emetohet nga zaptuesi aktual i PS, për ata mijëra votues, anëtarë e simpatizantë që votën e dhanë me shpresën dhe besimin për një beteje politike e parlamentare jo për politikë rruge e rrugaçësh”, u shpreh Strazimiri.
Sipas tij, pavarësisht nga kjo klikë e rëndomtë e socialistëve, Shqipëria do të vazhdojë të ecë drejt BE dhe askush që tenton ta bllokojë rrugën drejt Brukselit si një ndërtim pa leje ,nuk do të mundet të ndalë vendosmërinë tonë për t’i rikthyer shqiptarëve centimetër tokë publike të grabitur a zaptuar.