E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xha Kristoja i Edvinit s’po gjen derman nga bonuset e Formulës “Ksera”

Ngutja e elementëve antiBerishë ndër radhët e minoritetit grek e kanë shprehur shqetësimin e tyre këto javët e fundit në mënyrë komplekse. Tek e ashtuquajtura tribunë mediatike e një të ashtuquajturi të dhunuar që vetëquhej si këshilltari kryesor mediatik i Kryeministrit (derisa interesat personale ia demaskuan pseudo-parimet që gjoja mbronte), kanë filluar thirrjet për Ministrin e qeverisë së Integrimit, z. Spiro Ksera. Këto thirrje që herë ngrihen kërcënueshëm e herë me përvuajtje a cinizëm e plot helm, as më shumë dhe as më pak synojnë të zhvendosin nga pozicioni aktual brenda komunitetit minoritar z. Ksera. Pse jo edhe të hutojnë apo ta futin këtë të fundit në një nxitje që të jetë sa më shpejt dhe sa më afër strukturave të Partisë Demokratike e më pas t’i përfaqësojë këto struktura në minoritet. Në thelb gojët e liga të Xha Kristos apo të kujtdoqoftë nën emra të tillë kanë filluar të shqetësohen me atë që po ndodh në minoritet. Dhe ajo që po ndodh në minoritet është situatë kërcënuese për kreun ende në detyrë të PBDNJ-së, që ka humbur tashmë edhe atë pak peshë që i jepte fasada prej të përkëdheluri. Z. Dule tashmë ka humbur përfundimisht respektin e bazës pasi në nivel terreni ai nuk ka ndonjë lidhje me interesat e minoritarëve të thjeshtë apo kuadrove që nuk i afroi e i la rrugëve të Athinës e nëpër botë. Feudi që ai ngriti në zemër të rrugës së Kavajës nuk është më i tij dhe humbja e kontrollit mbi kupolën vendimmarrëse të Ministrisë së Punës e ka trishtuar. Aq i pashpresë është sa për çdo moment u ka deleguar porosi boshe detashmenteve të tij të mbetur në cepat e institucioneve shtetërore apo atyre që largohen që të mbajnë nën presion pjesën që po e braktis.
Kjo situatë ku Dule po humbet hapësirën e vet strategjike që shpreson të mbajë me cdo kusht ndër radhët e minoritarëve ka krijuar panik dhe frikë. Ndjesia që një politikan i ri, karizmatik dhe popullor, me mbështetje të llogaritshme në bazë dhe me krahë të fortë në politikën qendrore shqiptare guxon të sfidojë në mënyrë plebishitare rrangallat që vegjetojnë në minoritet, ka shqetësuar disa segmente njëkohësisht. Nuk diskutohet se i pari vjen segmenti i Vangjel Dules që është jashtë lojës së pushtetit e që e ka të shkruar në ballë se hyri me Edi Ramën në një lojë ku ka vetëm përfitime të majme në nivel personal. Segmentet e tjera janë ato të cilat vijnë nga e majta ekstreme e minoritetit e që ndjejnë konkurrencën në hapësirën e qendrës. Segmentet e mëpasshme janë ato të politikës së majtë greke, që të atashuara nëpër konsullata e ambasada nuk po dinë se çfarë të bëjnë me Vangjelin që nuk u hyn më në punë, pasi qeveria Berisha dhe përfaqësuesi i së djathtës në minoritet janë kaq shumë bashkëpunues e të hapur sa nuk kanë nevojë për sekser. Sigurisht, që për etikë, vazhdojnë ta ftojnë në takime, tryeza apo edhe koncerte, por këtë e bëjnë që t’i lehtësojnë dhimbjen e humbjes së pushtetit dhe të rrënimit të së ardhmes politike. Segmente shtesë janë ato që gjithmonë përpiqen të përfitojnë sido që të vijnë rrethanat, por që kanë kuptuar se me djemtë e rinj të politikës që Berisha po u beson drejtimin e vendit nuk kanë asnjë lidhje e asnjë ndikim.
Të gjitha këto interesa që e ndjejnë veten jashtë skemës së politikës dhe përfitimit janë acaruar dhe me zë po ulërasin duke kërkuar tribuna mediatike ku të shfryjnë dufet. Thirrjet e tyre së z. Ksera është beniamin i Berishës e se me anë të tij Kryeministri kërkon të bëjë një minoritet të vetin kalojnë në anën tjetër ku gjoja interesimi për të mirën e minoritetit dhe të Ministrit të Punës dalkan në plan të parë. Cytja e këtyre segmenteve që të hedhin Ministrin e ri minoritar në ngasje apo dëshira të forta për integrim të plotë apo njehsim të vrullshëm me Partinë Demokratike nuk janë të përtypshme. Roli i djalit të minoritetit që me guxim mori përsipër t’u tregonte marifetçinjve të vjetër të politikave të kotësisë se për të qenë udhëheqës e triumfues duhet punuar e duhet përkushtim, është ai i bashkimit të minoritetit. Minoriteti grek në Shqipëri ka specifikën e vet dhe kjo e bën atë unik në mënyrën e sjelljes së politikanit. Ministri Ksera vjen me kredencialet dhe kontributin e drejtpërdrejtë në fitoren e koalicionit integrues të vendit dhe nuk mund të humbë asnjë centimetër të territorit që ka fituar në minoritet. Roli i tij në politikë dhe në krye të Ministrisë nuk mund të jetë tjetër veçse mbështetje për të zgjeruar influencën elektorale të një mentaliteti të ri, shprehur me njerëz të rinj, për të luftuar praktikat e kaluara e për të ecur gjithnjë e më përpara duke shfrytëzuar në maksimum vlerësimin që i ka bërë minoriteti duke e çuar me plot dashamirësi aty ku gjendet. Dalja e një njeriu të ri që nuk vjen nga familje tradicionale dhe me lidhje shumëdimensionale dhe të cdo krahu në politikë, përbën risi. Z. Ksera e mishëron këtë. Shembulli i tij në fakt nuk është gjë tjetër veçse shembulli i një njeriu që punon, që njeh mirë mentalitetin e zonës ku jeton, nevojat e komunitetit dhe përmbush fjalën e dhënë. Ai është modeli që ka inspiruar Kryeministri Berisha që duke qenë jashtë klaneve punisto-mafioze rrëmbeu pushtetin e komunistëve dhe ridërgoi në opozitë edhe neokomunistët e Ramës. Në fakt është në koherencë me modelin që po implementon SHBA. E pikërisht rrëmbimi i mundësisë prej z. Ksera shihet me mllef dhe hidhërim nga kasta e ndryshkur e gjoja politikanëve të minoritetit grek në Shqipëri që më shumë se takimet me elektoratin dhe përballjen me nevojat e tij u pëlqen vera, shampanja, hotelet, makinat e femrat e tarifave të shtrenjta. Në të vërtetë në minoritet nuk po ndodh asgjë, po realizohet përplasja e dëshirave të shfrenuara për perversitet e përfitime me modelin e ri që përfaqëson qeveria e Berishës. Nuk është faji i Berishës që minoriteti grek vendosi që të mos përfaqësohet më me Vangjel Dulen. Pas kësaj, relaks…

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›