E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngjela dhe Bakalli bashkohen me Shehin

Të ikurit nga PD-ja, Spartak Ngjela dhe Gilman Bakalli, bashkohen me Dashamir Shehin për krijimin e një koalicioni të përbashkët, që ata preferojnë ta quajnë koalicion idesh. Sipas deputetit Bakalli, bisedimet mes tyre kanë nisur prej disa ditësh, por aktualisht, nuk ka një konkretizim përfundimtar. Kjo, për faktin pasi po tentohet për të afruar në këtë aleancë të re brenda së djathtës edhe ish-të larguar të tjerë të PD-së që nuk duan të rikthehen në këtë parti. Momentalisht, janë vetëm avokati Ngjela, deputeti i pavarur Gilman Bakalli dhe kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, të cilët kanë hyrë në bisedime të përbashkëta. Që të tre politikanët e lartpërmendur kanë qenë pjesë aktive e Partisë Demokratike, por janë larguar prej saj në periudha të ndryshme kohore. Shehi po tenton të krijojë një lob më vete në krahun e djathtë, pasi duket se nuk ka marrë asnjë ftesë bashkëpunimi nga ana e Partisë Demokratike për një bashkëpunim të mundshëm para zgjedhjeve të vitit 2009. Ai kryeson Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar, e cila nuk arriti të përfaqësohej në Kuvend në zgjedhjet e 2005-ës, duke bërë që të kishte më pak peshë edhe në marrëdhëniet me koalicionin e djathtë. Ndërkaq Bakalli, deputet i Shkodrës, vendosi të largohej nga PD-ja para pak kohësh, për shkaqe që ai i cilësoi si ideologjike. Në fillim u duk sikur do të afrohej me grupin e demokristianëve që në atë kohë ishte në formim e sipër, por në fakt, preferoi të rrinte i veçuar ashtu si deputeti tjetër Ngjela, i cili pas një debati të ashpër me Kryeministrin Sali Berisha, u përjashtua nga grupi parlamentar i PD-së. Nuk është e qartë akoma se çfarë subjekti politik do të krijojnë të tre politikanët e djathtë, por duket se si fillim kanë gjetur gjuhën e përbashkët për idetë e tyre politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›