E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhevahir Spahiu, një dolli në 65-vjetorin e lindjes



alma mile

Koha për poetin nuk ecën si për gjithë të tjerët. Ajo matet me ca minuta të mistershme, që e bëjnë atë të ndihet i përjetshëm. Me pasionin e të riut dhe urtësinë e të moshuarit. “Herë-herë të duken shumë. Herë më duken gjashtë orë, herë më duken 600 vjet”. Kështu do të shprehej 5 vjet më parë, në 60-vjetorin e lindjes, për gazetën “Panorama”, poeti Xhevahir Spahiu, për vitet që kishte mbi supe. Ai e quante një të përpjetë të madhe një ditëlindje. Një të përpjetë, të cilën ai vazhdon ta ngjisë ende. Sot ai bën 65 vjeç. Gati një vit më parë, shumë menduan se nuk do t’ia arrinte, por ja që Zoti, apo fati, apo... deshi që sot, ai të jetë sërish mes miqsh dhe atyre që e duan, që ndoshta nuk e kanë parë kurrë, por që e njohin mes vargjesh. “Tani që jam gjallë, vjen poezia tek unë, nesër kur s’do të jem, do të shkoj unë tek poezia ime. Nëse kam bërë diçka, nëse nga dhjetë marrëzira, që thotë njeriu brenda ditës, kam thënë një fjalë të mirë, kjo nuk është pak, ka të tjerë që mendojnë apo pandehin se nga dhjetë fjalë që thonë, njëzet i kanë të përndritura”, do të shprehej ai në 60-vjetor. Por Xhevahir Spahiu, ka thënë më shumë se “një fjalë të mirë”. Sot në orë 10:00, në sallën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Akademia e Shkencave, organizojnë ceremoninë e festimit të 65- vjetorit të lindjes së njërit prej përfaqësuesve më në zë të letrave shqipe. Do të flasin titullarë institucionesh, por edhe studiues, që do të vënë edhe një herë në dukje vendin që vepra e tij ka në letërsinë shqipe. Fjalët e mira nuk kanë munguar asnjëherë për poetin, çka edhe ai e di shumë mirë. “Unë mendoj se është folur shumë, padyshim është folur mirë. Pa mëdyshje, këto e kanë ndihmuar, edhe pse nuk kanë qenë vendimtare. Fjalët e mira dhe ato të këqija kanë qenë anësore, rënduese ose lehtësuese, ndërsa vlerësimet sidomos këto njëzet vjet, kanë qenë të shumta dhe më kanë zgjuar besimin në vetvete”.
Përpos referimeve zyrtare, duhet thënë se është një rast për tu mbledhur e për të ngritur një dolli dhe për t’i uruar jetë të gjatë poetit, i cili një vit më parë iu desh të përballej me një sëmundje të rëndë. Një ishemi cerebrale goditi poetin gati një vit më parë. Pasi qëndroi disa ditë i shtruar në Spitalin Neurologjik të Tiranës, ku u mbajt nën kujdesin e mjekëve më të mirë shqiptarë, Spahiu u nis për një kurim më të specializuar drejt Turqisë. Sëmundja e poetit nuk la askënd indiferent. Të shumtë ishin ata që e vizituan gjatë ditëve në spital dhe e mbështetën financiarisht udhëtimin dhe kurimin e tij në një klinikë në Stamboll. Jo vetëm miq e kolegë, por edhe politikanë iu ndodhën pranë poetit, mes të cilëve zv/kryeministri Ilir Meta, apo Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Shumë tufa lulesh dhe urime për shërim të shpejtë. Ishte një dashuri e kthyer kundrejt dashurisë që Spahiu i ka dhënë lexuesit përmes vargjeve të tij.
Xhevahir Spahiu lindi më 1 mars të vitit 1945 në fshatin Malind të Skraparit. Mësimet e para i mori në Vlorë, ndërsa studimet e larta i kreu në Universitetin e Tiranës, ne Fakultetin Histori-Filologji, dega e Gjuhë-Letërsi shqipe. Prej vitit 1968 punoi si gazetar në gazetën “Zëri i Popullit”, më pas në revistën “Nëntori”, mësues letërsie e libretist në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. I cilësuar si një nga poetët në zë shqiptarë të dalë në vitet ’70, Spahiu ka botuar një sërë vëllimesh poetike, të cilat janë pritur mjaft mirë nga lexuesi e kritika. Së fundi është botuar vepra e tij e zgjedhur, krijimet më të mira ndërmjet viteve 1965-2000. Poezi me mall, pritje e dhimbje, por edhe diell, zall e valë, si shpirti gjithnjë i trazuar i poetit. Viti 1993 e gjen Spahiun sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, struktura bazë e organizimit dhe orientimit të artistëve në 45 vite të regjimit. Shumë shpejt ai emërohet kreu i kësaj strukture, funksion të cilin e kryen deri në vitin 1998. Ndërsa Akademia e Shkencave gjatë zgjedhjeve të saj të fundit e vlerësoi Spahiun, duke e bërë anëtar të saj. Në 60-vjetorin e lindjes, ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu i dorëzoi urdhrin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Personaliteti i shquar i letrave shqipe, poeti i dashur i të gjithë shqiptarëve, krijues i një vepre me ide të mëdha dhe tronditëse, lirike e dramatike”.

Vepra

“Mëngjes sirenash” (1970)
“Ti qytet i dashur”
(1973)
“Vdekje e perëndive” (1977)
“Dyer dhe zemra të hapura”
(1978)
“Bashkëkohësit”
(1980)
“Agime shqiptare”
(1981)
“Zambakët e Mamicës (1981
“Kitaristët e vegjël” (1983)
“Nesër jam aty”
(1987)
“Heshtje s´ka”
(1989)
“Dielli i lodrave”
(1990)
“Poezia shqipe”
(1990)
“Kohë e krisur” (1991)...etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›