E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, tentativë për të dëmtuar procesin zgjedhor

08-05-2011 / Gazeta 55

Reagon Ministria e Brendshme për deklaratat abuzive të deputetëve të PS-së


Ministria e Brendshme ndjek me shqetësim deklaratat publike të deputetëve të Partisë Socialiste Paulin Sterkaj dhe Tom Doshi, për ekzistencën e kartave të identitetit të falsifikuara, duke e konsideruar këtë si një tentativë për të dëmtuar procesin zgjedhor. Ministria e Brendshme vlerëson reagimin e menjëhershëm të Policisë së Shtetit për të marrë faktet e pretenduara nga deputetët e Partisë Socialiste, si procesi më korrekt ligjor për sqarimin e çdo pretendimi. Deputetët Sterkaj dhe Doshi kanë detyrimin ligjor të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit dhe prokurorinë për hetimin e rasteve të pretenduara duke dorëzuar të gjitha provat dhe informacionet që ata disponojnë. Dokumentet shqiptare të identitetit janë të standardeve më të larta Europiane. Ministria e Brendshme garanton qytetarët shqiptarë se e tërë infrastruktura zgjedhore, përfshirë edhe dokumentet e identitetit, përmbush standardet e kërkuara dhe garanton ushtrimin e lirë të së drejtës së votës.


Policia e Shtetit: Kartat të sigurta, Sterkaj të dorëzojë materialet


Pas deklaratës së deputetit socialist Paulin Sterkaj, për falsifikimin e kartave të identitetit me qëllim manipulimet në zgjedhjet e së dielës, ka reaguar edhe Policia e Shtetit. Në një deklaratë të pak minutave më parë, thuhet se kartat e identitetit nuk mund të falsifikohen pasi elementët e sigurisë janë të shumtë dhe të pafalsifikueshëm. “Policia e Shtetit fton z. Sterkaj që të depozitojë pranë strukturave të Policisë ose të Prokurorisë materialet që ai disponon, me qëllim kryerjen e të gjitha veprimeve procedurale për rastin në fjalë. Po ashtu ftojmë qytetarët që për çdo rast të informojnë strukturat e Policisë së Shtetit. Njëkohësisht Policia e Shtetit i bën me dije gjithë opinionit publik se kartat e identitetit për vetë elementët e sigurisë së lartë që përmbajnë, janë dokumente që nuk mund të falsifikohen”, thuhet në deklaratën e policisë. Ndërkaq po në këtë reagim bëhet me dije se ndaj shtetasve, Sidrit Mehmet Gali, i datëlindjes 14. 07. 1989, dhe Ylli Emin Gjata, i datëlindjes 30. 11. 1985, të dy me banim në Dobraç Shkodër, të cilët janë pajisur me kartë identiteti gjatë vitit 2009, nga ana e strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit do të kryhen të gjitha verifikimet dhe hetimet e nevojshme dhe materialet me këto çështje do i kalojnë Prokurorisë së Shkodrës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›