E Diel, 1 Nëntor 2026

“Zgjedhjet lokale janë të rëndësishme për qytetarët”

08-05-2011 / Gazeta 55

Ambasadorja britanike Fiona McIlwham

Fiona McIlwham deklaron se zgjedhjet që mbahen sot duhet të tregojnë profesionalizëm dhe integritet për të çuar përpara integrimin Evropian të Shqipërisë

Ambasadorja e Britanisë së Madhe në Tiranë, Fiona McIlwham, deklaron se realizimi i zgjedhjeve të suksesshme lokale në Tiranë dhe kalimi i tyre me profesionalizëm dhe integritet, janë jetike për të ecur në mënyrë të vendosur drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Përmes një njoftimi për mediat, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve vendore, diplomatja britanike theksoi se votimet janë mundësi e rëndësishme për shqiptarët në mënyrë që zëri i tyre të dëgjohet dhe ata të vendosin për politikat vendore.
“Zgjedhjet janë një mundësi për zyrtarët, politikanët, komisionerët dhe policinë që të punojnë së bashku për të mbështetur qytetarët e tyre dhe një proces pozitiv e transparent. Këto zgjedhje janë edhe një mundësi për Shqipërinë për të forcuar më tej përparimin e saj si një komb demokratik evropian. Unë shpresoj se Shqipëria dhe shqiptarët do ta shfrytëzojnë këtë mundësi”, thuhet në njoftimin e ambasadores.
Ndërsa ambasadori OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth gjatë një interviste për një të përditshme shqiptare  thekson rëndësinë e këtyre zgjedhjeve duke deklaruar se KQZ duhet të vendosë interesin publik mbi çdo presion politik. Ambasadori Wollfarth ka deklaruar se misioni OSBE-së ka dhënë një asistencë teknike gjatë këtyre javëve për policinë përfshi vënien në dispozicion te disa telefonave satelitorë për përdorim në zonat e thella të vendit.
Çështjen e reformës zgjedhore ambasadori OSBE-së e shikon në një këndvështrim shumë realist kur thotë  se “gjithmonë merren premtime të guximshme politike por pastaj pas një amullie dhe neglizhence ca ujdi politike në momentet e fundit përpiqen t’i bëjnë procedurat më të mira”.
Ambasadori OSBE-së këshillon se për të sjellë vërtet përmirësime në kodin zgjedhor, partitë duhet të fillojnë menjëherë të përgatiten për bisedime serioze gjatë verës. “Dhe më pas, pas pushimit veror, do të presim që partitë politike, dhe e theksoj, të gjitha partitë politike, të fillojnë të punojnë së bashku për një reformë të re. Historia e gjatë dhe e zvarritur e zgjedhjeve të dështuara në Shqipëri duhet të marrë fund”, ka thënë ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›