“Do konsolidojmë traditën e zgjedhjeve me standarde”
Kryeministri Berisha për Agjencinë France Press
Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar dje se zgjedhjet për pushtetin vendor do jenë të lira dhe të ndershme. Kreu i qeverisë u shpreh gjatë një interviste për France Press se Shqipëria ka konsoliduar traditën më të mirë demokratike, për të realizuar zgjedhje në përputhje me standardet ndërkombëtare. “Zgjedhjet do të jenë të lira dhe të ndershme, ashtu siç Shqipëria ka konsoliduar tashmë traditën e zgjedhjeve me standarde”, tha Berisha, duke evidentuar se edhe në procesin elektoral të 2009-ën, OSBE/ODIRH dhe vëzhguesit ndërkombëtar i vlerësuan ato si më të mirat e zhvilluara ndonjëherë.
Kreu i qeverisë shton edhe më tej. Ai premton se zgjedhjet e sotme do jenë zgjedhjet më të shkëlqyera që mund të zhvillojë një vend demokratik.
Kryeministri Sali Berisha e ka minimizuar mundësinë e dhunës në zgjedhjet e ditës së sotme. “Kjo fushatë elektorale ka qenë më e qetë. Ka pasur incidente, por jo vdekje”, ka thënë Berisha për agjencinë France Press. “Mendoj se gjithçka do të jetë në rregull”, ka përcaktuar më tej kryeministri.