E Diel, 1 Nëntor 2026

Eurodeputetët: Dokumentet e identitetit, garanci për zgjedhjet

08-05-2011 / Gazeta 55

Ministri Nishani: Shqetësuese tendenca e socialistëve për përdorim të listave paralele

Siç edhe u komunikua shumë kohë më parë nga Brukseli, nisur nga kërkesa e qeverisë shqiptare, një grup eurodeputetësh të parlamentit Evropian po vizitojnë Shqipërinë për të monitoruar nga afër procesin zgjedhor. Kësisoj, misioni i vëzhguesve të PE, i kryesuar nga eurodeputeti Eduard Kukan, u prit në një takim nga ministri i Brendshëm Bujar Nishani. Eurodeputetët si Eduard Kukan, Georgios Koumutsakos, Jutta Steinruck dhe Michail Tremopoulos, do të ndjekin nga afër procesin e zgjedhjeve vendore në Shqipëri.
Në këtë takim u diskutua mbi masat e marra për përgatitjen e procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore të 8 majit.
Ministri Nishani njohu parlamentarët europiane me të gjithë veprimtarinë e Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve të varësisë për garantimin e një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm dhe të një klime të qetë e të sigurt për ushtrimin e lirë të së drejtës së votës nga qytetarët shqiptarë. Ministri Nishani theksoi se listat zgjedhore burojnë nga Regjistri Kombëtar Elektronik i Shtetasve dhe janë gjithashtu produkt i bashkëpunimit të plotë mes Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe njësive të qeverisjes vendore. Ministri Nishani theksoi se me këtë listë zgjedhësish dhe me dokumentet e identitetit me të cilat do të paraqiten për të votuar qytetarët shqiptarë, garantohet një proces zgjedhor i standardeve më të larta ndërkombëtare përsa i takon identifikimit të zgjedhësve. Ministri Nishani njohu deputetët e Parlamentit Europian edhe me masat e marra nga Policia e Shtetit për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë procesit zgjedhor, si dhe për trajnimin në bashkëpunim me OSBE, për detyrat e punonjësve të policisë të angazhuar për mbarëvajtjen e këtij procesi.
Ministri i Brendshëm Bujar Nishani shprehu shqetësimin për deklaratat e përfaqësuesve të opozitës për përdorimin e listave të zgjedhësve të hartuara nga Partia Socialiste, si dhe organizimin dhe përdorimin e grupeve të ashtuquajtura të sigurisë, paralel me strukturat ligjore të Policisë së Shtetit.
Përfaqësuesit e Parlamentit Europian vlerësuan maksimalisht cilësinë dhe sigurinë e dokumenteve të identitetit, procesin e prodhimit dhe lëshimit të këtyre dokumenteve si dhe procesin e hartimit të listave të zgjedhësve.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›