E Diel, 1 Nëntor 2026

Kanabis & heroinë, pranga dy shpërndarësve të “Ali Demit”

Tiranë- Policia e kryeqytetit ka vënë në pranga dy persona gjatë ditës së djeshme, të cilët akuzohen për shitje të lëndëve narkotike. Sipas burimeve zyrtare nga ky institucion, mësohet se arrestimi i dy personave është bërë në kuadër një të procedimi 6-mujor. Mësohet se të arrestuarit janë Bledar Mneri, 30 vjeç, lindur e banues Tiranë, i dënuar më parë me 11 vjet burg për vrasje; si dhe Ervin Korra, 26 vjeç, lindur në Durrës e banues në Tiranë. Këta persona janë arrestuar në afërsi të rrugës “Ali Demi” në Tiranë, me një sasi prej 12 fishekësh të kalibrit 7.62 mm, 5 gram kanabis dhe 8 gramë heroinë. “Arrestimi i dy të rinjve ka ardhur si rezultat i procedimit, ku gjatë këtij viti janë arrestuar disa persona, bashkëpunëtorë me njëri-tjetrin, me synim shitjen e shpërndarjen e lëndëve narkotike kanabis dhe heroinë” – thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës. Mësohet se dy personat e arrestuar ditën e djeshme kanë bashkëpunuar me disa persona të tjerë, të cilët janë arrestuar nga Policia e Tiranës përgjatë muajve janar-shkurt të këtij viti. Ndërkohë, efektivët e policisë janë duke vijuar punën për zbulimin e pjesëtarëve të tjerë të këtij grupi, i cili shpërndante lëndë narkotike në zonën e “Ali Demit” në Tiranë, por edhe në zona përreth.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›