E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shorti, caktohen gjyqtarët për padinë e PS-së

Menjëherë pas seancës së djeshme, trupa e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor është mbledhur dhe ka hedhur shortin për dy kërkesat e tjera që mbeten për t’u shqyrtuar dhe që kanë si objekt të tyre zgjedhjet për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Kërkesa e parë është e socialistëve dhe që ka si objekt anulimin e vendimit nr 1160 datë 28.06.2011 të KQZ për mospranimin për shqyrtim të kërkesës ankimore nr.164 të subjektit Partia Socialiste, detyrimin e KQZ-së të marrë në shqyrtim kërkesën dhe të marrë vendim”. Në bazë të shortit kjo kërkesë do të shqyrtohet sot në orën 10.00 nga një trup gjyqtarësh e përbërë prej Dhurata Haverit, Marie Qiriazi, Meriban Mullaj, Astrit Kalaja dhe me relatore Sashenka Jonuzi. Ndërkohë që një ditë pas, pra nesër në orën 13 e 30, është vendosur të shqyrtohet kërkesa e dytë dhe e fundit, që ka si objekt të saj zgjedhjet në Tiranë, e paraqitur nga Partia e Pensionistëve. Kjo kërkesë ka thuajse objekt të njëjtë me atë të socialistëve, pra detyrimin e KQZ-së që të marrë në shqyrtim kërkesën e tyre në brendësi të tyre, përveç rezultatit dhe pavlefshmërisë së zgjedhjeve kërkohet dhe pezullimi i hetimit deri në marrjen e një vendimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese për një kërkesë të mëparshme të kësaj force, për të shpallur të pavlefshme disa nene të Kodit Zgjedhor. Kjo kërkesë do të shqyrtohet nga gjyqtarët Dhurata Haveri, Entela Prifti, Marie Qiriazi, Astrit Kalaja dhe me relator Meriban Mullaj. Shorti duket se kanë qenë favorizues për paditësit, pasi në asnjë nga këto trupa, ashtu siç ka ndodhur edhe për dy kërkesat e fundit të socialistëve, nuk është përzgjedhur gjyqtari Tom Ndreca, i cili është akuzuar hapur nga socialistët si i njëanshëm në gjykim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›