PS vajton shembjen e mazoleumit të Enverit, shpif e mashtron për konkursin parlamentar

Topalli: Gënjeshtrat e Ramës kanë lënë pa mend edhe Vjenën
Kuvendi i Shqipërisë ka reaguar ditën e djeshme ndaj deklaratave të deputetit të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili pretendon se konkursi për Kompleksin e ri Parlamentar ka qenë i manipuluar. Përmes një deklarate për mediat zëdhënësja e Kuvendit, Suela Ruseti deklaroi se pretendimet e deputetit Balla u hodhën poshtë dhe nga autori i shkrimit të gazetës vjeneze Christian Ortner. Duke iu referuar deklaratave të bëra në seancën parlamentare të së enjtes, të deputetit socialist Balla, zëdhënësja e Kryetares së Kuvendit, Ruseti u shpreh: “Edhe në seancën plenare, Partia e Enver Hoxhës, nëpërmjet shokut Taulant Gjura për të disatën herë tentoi të ndotë ambientin e veshët e shqiptarëve me gënjeshtra të paskrupullta, produkt i zyrës së Propagandës e Dezinformimit të PS-së. Kryetarja e Kuvendit edhe një herë informon publikun se deklarata e radhës së zëdhënësit të shokut Rama është një gënjeshtër fund e krye, jo vetëm në çdo fjali, jo vetëm në çdo fjalë, por në çdo germë dhe shifër të saj”. Më tej Ruseti theksoi se e gjithë procedura në lidhje me veprimtarinë e Kuvendit është publike dhe nuk ka asnjë shkelje ligjore. Sipas saj, mësohet se kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka bërë të ditur se, nëse do t’i kishte shkuar ndonjëherë në mendje të abuzonte me fondet publike duke trukuar konkurse apo sajuar konkurrime, do të kishte vendosur të merrte teserën e Partisë Socialiste dhe të drejtonte Bashkinë e Tiranës.
Më tej ajo sqaroi se për çdo të interesuar, dhe në respekt të së vërtetës dhe transparencës, në faqen e internetit të Kuvendit, është publikuar i plotë artikulli i gazetës “Wiener Zeitung” në variantin e saj origjinal (gjermanisht) si dhe në variantin shqip. Gazetari Christian Ortner, i gazetës që shoku Rama nxirrte ditë më parë të TV, pa lexuar të paktën çfarë shkruan, ka rrëzuar shpifjen e turpshme.
E. Tomani