E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëzhguesit e OSBE: “Reforma zgjedhore, pas 8 majit”

02-04-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha e konsideron të një rëndësie të jashtëzakonshme, rolin e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe atyre vendas në garantimin e transparencës, si një kusht themelor për përmbushjen e standardeve të procesit zgjedhor. Gjatë takimit që zhvilloi me Kreun e Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR, Jonathan Stonestreet dhe delegacionin që e shoqëron, Berisha i siguroi se do të kenë të gjithë mbështetjen dhe bashkëpunimin e nevojshëm nga qeveria shqiptare në përmbushjen me sukses të misionit të tyre.
Gjithashtu kryeministri e njohu Misionin me reformat e ndërmarra për modernizimin e infrastrukturës zgjedhore veçanërisht në arritjen e një saktësie shumë të lartë të listave të zgjedhësve. Duke shprehur keqardhjen për mungesën e vullnetit të opozitës për të trajtuar në kohë rekomandimet e raportit të vitit 2009, Berisha rikonfirmoi gatishmërinë e mazhorancës për një reformë zgjedhore konsensuale, pas përfundimit të zgjedhjeve. Lidhur me tryezën e partive politike, kryeministri theksoi se marrëveshja e firmosur nga disa prej partive parlamentare i angazhon ato në zbatimin e detyrimeve ligjore në procesin e administrimit zgjedhor dhe fushatës zgjedhore në përputhje me rekomandimet e ODIHR-it drejtuar partive politike.
Ndërsa kreu i Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR, Jonathan Stonestreet  i shprehu falenderime kryeministrit Berisha për ftesën e qeverisë shqiptare drejtuar ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale. Ai theksoi se misioni do të vëzhgojë zhvillimin e zgjedhjeve në përputhje me standardet e OSBE-së dhe legjislacionin vendas.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›