E Shtunë, 31 Tetor 2026

“PS, vetëm 48 orë kohë për të zëvendësuar dy anëtarët”

18-04-2013 / Gazeta 55

Flet Arben Ristani, ish-kryetar i KQZ

Ish kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, e sheh dorëheqjen kolektive në këtë institucion si tentativë të të majtëve për të bllokuar procesin elektoral. Në një prononcim për mediat ai thotë se vendimmarrja e Shtyllës dhe Bibës fakton politizimin e tyre. “Duke dhënë dorëheqjet nga KQZ tregojnë më tepër se ata janë nën ndikimin e urdhrit politik dhe aspak anëtarë të pavarur të KQZ-së. Partitë e opozitës së majtë janë në vazhdën, e sidomos lidershipi socialist, dhe kështu kanë vepruar në të gjitha zgjedhjet, duke shkelur ligjin dhe duke tentuar të ngrenë tensionet, të prishin klimën dhe mundësisht të krijojnë shtyrjen e zgjedhjeve pasi gjithmonë janë të pasigurt për rezultatin dhe kanë frikë nga humbja”, deklaroi Ristani.
Sipas tij, edhe nëse socialistët refuzojnë të dorëzojnë në Kuvend emrat e anëtarëve të rinj, duke bllokuar në këtë mënyrë KQZ-në, kjo e fundit mund të zhvillojë zgjedhjet edhe vetëm me anëtarët që kanë mbetur në detyrë. “Në rast se nuk i çojnë brenda 48 orëve, sigurisht që shkelin ligjin dhe farsa përsëri me dashurinë për ligjin do të duket sa e vërtetë është. Unë besoj se do të prevalojë gjithmonë e drejta e shqiptarëve për të bërë zgjedhje, për të bërë zgjedhje atëherë kur e parashikon Kushtetuta, pra në mënyrë periodike dhe në datën e caktuar me dekret të presidentit të Republikës”, deklaroi Ristani.
Drejtuesi i KQZ-së në 2 proceset e fundit elektorale, shprehet se skenarë të ngjashëm bllokimi opozita ka ngritur dhe në 2007-ën, kur arriti të ndryshojë datën zgjedhjeve, në 2009 dhe në zgjedhjet vendore të 2011-ës nëpërmjet bojkotit të KQZ nga 3 anëtarë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›