E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS viziton grevistët e Gërdecit: Qeveria të mos bëjë shurdhin

Tiranë- Grevistët e Gërdecit janë vizituar sot nga kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, Kryetarja e Grupit Parlamentar, Valentina Leskaj dhe sekretari i grupit kuvendor, Musa Ulqini, në emër të Partisë Socialiste. Ata vizituan në shenjë solidariteti 7 grevistët e urisë, të strehuar një apartament në Vorë. Të mbetur pa punë pas tragjedisë në fabrikën e predhave në Gërdec, pa shtëpi, dhe pa asnjë lloj të ardhure, grevistët, me një moshë shumë të re, prej 4 ditësh, po bëjnë një sakrificë sublime, në përpjekje për të arritur plotësimin e kërkesave të tyre. Megjithëse në ditën e 4 të grevës, asnjë nga përfaqësuesit e shtetit nuk ka denjuar t’i vizitojë, madje si kanë thënë edhe vetë ata, kanë pasur vazhdimish presione për të dalë nga greva.

Leskaj: Të drejtat tuaja do t’i kërkojmë në Parlament

“Të drejta që u janë marrë dhe jo privilegje që kërkoni”. Me këtë fjalë i është drejtuar Leskaj grevistëve të urisë, duke shprehur keqëardhjen për situatën e krijuar. Ajo ka theksuar se femijët nuk e meritojnë të rrinë shtrirë në këtë grevë, si pasojë e një krimi shtetëror dhe u ka kujtuar grevistëve se po pritet në Parlament, projekti për kompensimin material, pagesa për dëmet fizike, për humbjen nga vendi i punës, për invaliditet për ata që kanë nevojë për të. “Ju jeni viktima të një krimi shtetëror dhe këto kosto nuk duhet ti paguajë populli i Gërdecit, por shkaktarët e krimit”- tha ajo, duke shtuar se Partia Socialiste do të vazhdojë me nismën e dytë, lançuar që më 16 prill, për të gjitha kompensimet.

Ruçi: S’duhet të trajtoheni si kundërshtarë të qeverisë

Për Gramoz Ruçin, hallet e banorëve të Gërdecit nuk janë as të majta e as të djathta, por vetëm njerëzore. Për këtë ato duhen përballuar në masën 100% nga shteti. “Deri më sot, ka pasur deklarata poltike, që post-Gërdeci është administruar në mënyrë të shkëlqyer, por prania juaj në këtë grevë, e atyre që nuk janë, e atyre që janë në kovalishencë, tregojnë të kundërtën. Tregojnë se nuk është e vërtetë ato që janë thënë nga qeveria”- tha Ruçi. Ai ka premtuar se do të vijojnë këmbënguljen e tyre që qeveria të mos vazhdojë të bëjë shurdhin, memecin, apo qorrin. Vendimet e saj, sipas Ruçit duhet të jenë, syri, veshi, mendja, zemra, halli, problemi dhe shqetësimi juaj. “Ne këtë kemi në dorë dhe këtë nuk do ta kursejmë, duke e bërë në rrugë institucionale dhe demokratike”- premtoi ai, duke kujtuar se maxhoranca, nuk duhet t’i trajtojë grevistët si kundërshtarë, por ta përcaktojë veten si pjesëtar të hallit të tyre, duke i dhënë zgjidhje.

Kërkesat

Grevistët kanë deklaruar që në fillim të grevës se nuk dalin gjallë pa iu plotësuar kërkesat. Ata kërkojnë nga qeveria ndihmë financiare 400 mijë lekë për çdo punëtor dhe kjo të paguhet për 1 vit; Rrogë për 1 vit me 500 mijë lekë në muaj dhe më pas shteti të sigurojë asistencë për këta punëtorë; Pension për familjarët e viktimave;Dëmshpërblim për mjetet motorike që janë dëmtuar në tragjedi; T’u njihen sigurimet shoqërore ish-punëtorëve nga viti 2006 deri në ditën kur ndodhi tragjedia, 15 mars 2008.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›