E Diel, 1 Nëntor 2026

Profecia e Katinit

Irida Vorpsi*

Lajmi i aksidentit tragjik ajror të avionit presidencial e zhyti Poloninë në një zi të thellë. Fati e deshi që lajmi i keq edhe kësaj here të vinte nga Rusia duke ushqyer më tej skepticizmin që i ka karakterizuar polakët në marrëdhëniet me fqinjin e fuqishëm. E gjendur gjithmonë si pre e pambrojtur, Polonia nuk pati kurrë mundësinë të konsolidonte një mbretëri të denjë për t’i bëre ballë oreksit të Prusisë, Austro-Hungarisë dhe Rusisë deri sa copëtimi i saj u zyrtarizua me anë të traktateve. Ishte vetëm një zonë rreth kryeqytetit aktual, i ashtuquajturi Dukati i Varshavës, i cili pati shijuar vetëm disa vite pavarësi para se të shndërrohej në një provincë të Rusisë. Në fakt Polonia nuk do të mund të fitonte pavarësi deri në vitin 1918 dhe kjo nuk do të zgjaste shumë, pasi në 1926-ën pushteti i administratës civile u zëvendësua nga një regjim ushtarak. Ironia e fatit e desh që emri i Polonisë të lidhet me fillimin e Luftës së Dytë Botërore në momentin kur në 1939-ën ushtria gjermane shkeli kufijtë e shtetit fqinj duke e shtuar territorin e saj në listën e varur prej svastikës. Polonia u gjend si pretekst për Britaninë e Madhe për t’i shpallur më në fund luftë Gjermanisë Naziste, e cila përdori lloj lloj pretekstesh duke filluar me reklamimin e së drejtës mbi qytetin e Gdanskit dhe korridorin polak që lidhte Prusinë Lindore me pjesën tjetër të Gjermanisë. Sikur të mos mjaftonte kryqi i thyer nazist, Polonia do të pushtohej edhe nga trupat sovjetike në kuadër të paktit Molotov-Ribbentrop: bilanci i fundit të muajit shtator 1939- të e gjen Poloninë të pushtuar nga nazistët dhe sovjetët. Gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore trupat naziste e zmbrapsën ushtrinë e Kuqe për të ndërruar vendet vetëm disa vite më vonë në përfundim të saj. Një nga simbolet më të diskutuara të kësaj historie tragjike është edhe masakra e Katinit. Për një kohë të gjatë Moska zyrtare ka refuzuar të marrë përgjegjësitë për këtë masakër duke ia hedhur fajin Gjermanisë naziste, ndërkohë që sentimenti polak ndaj këtij genocidi ka qenë tepër i ndezur , sidomos nga ana e lëvizjes anti-komuniste. Memoria historike karakterizohet nga një dialektikë e ndezur për atë ngjarje tronditëse në të cilën ushtarët sovjetikë ekzekutuan 22 mijë viktimat polake, ajkën e Polonisë së kohës sipas një strategjie makabre e huazuar edhe prej vendeve satelite si një mënyrë për të lare hesapet shpejt e shpejt me elitën duke e pasur më të kollajtë zëvendësimin e saj me “njeriun e ri sovjetik” trushpëlarë dhe ideologjikisht të programuar. Polonia ka qenë përherë problematike për Moskën dhe kjo u vërtetua edhe me lindjen dhe forcimin lëvizjes Solidarnosc, pjesë e së cilës ishte edhe i ndjeri President. Masakra e Katinit i ka bërë përherë hije marrëdhënieve ruso-polake sidomos të periudhës pas rënies së Murit të Berlinit, marrëdhënie të cilat janë karakterizuar nga një antagonizëm i kahershëm dhe një mosbesim reciprok me Poloninë që i hapi portat planit amerikan të administratës së Bush-it për vendosjen e mburojës antiraketë, plan ky që ngjalli pakënaqësi të theksuar në Moskën zyrtare.. S’mbahet mend që kur skena politike polake është ndier kaq e shkretë dhe e braktisur siç është sot, në zi të plotë për humbjen e çiftit presidencial dhe bashkë me të edhe të 94 emrave të shquar të kombit polak. Ceremoniali përkujtimor i instaluar në mes të Varshavës pasqyronte fotot e viktimave nga më e reja (23- vjeçare) e deri tek më i moshuari (ish Presidenti 91- vjeçar). Një ceremoni dinjitoze pasqyruese e fisnikërisë së polakëve, që u mbështetën tek njëri- tjetri në këtë ditë të zezë të humbjes së madhe, ditë kjo që kujtonte masakrën e 70 viteve më parë duke i mbivendosur dhimbjen për një aksident tragjik. Bota e tërë mbajti frymën dhe ktheu sytë nga Varshava për t’iu gjendur pranë polakëve dhe për të respektuar humbjen e tyre njerëzore dhe politike, e cila së bashku me çiftin presidencial, mori edhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Guvernatorin e Bankës, nënkryetarin e Parlamentit, zvminsitrin e Jashtëm si edhe shumë deputetë, akademikë, historianë e klerikë. Si në një tregim biblik, ishte mbledhur (pothuajse) e gjithë elita polake dhe ishte nisur në pelegrinazh drejt Katinit. Emri i këtij qyteti dhe ai i Lech Kaczynski janë simbioze e plotë. Ky i fundit nuk qe një shfaqje e re për politikën polake. Ai ka qenë këshilltar i lëvizjes Solidarnosc dhe trashëgonte që atëherë bindjet anti-komuniste, bindje këto që nuk ngurroi t’i institucionalizonte në formacionin politik Ligj dhe Drejtësi. Së bashku me të vëllain, ai u kthye në një figurë kyçe për Poloninë dhe jo vetëm. Prirjet e tij konservatore anti-komuniste dhe orientimi patriotik lanë gjurmë të thella në marrëdhëniet e Polonisë me fqinjët dhe sidomos me Rusinë. Në fakt ish kryebashkiaku i Varshavës ka qenë sa i adhuruar aq i kritikuar për idetë e tij dhe mënyrën sesi i përkthente ato në aksion politik fort mbrojtëse për Poloninë duke pasqyruar edhe një herë skepticizmin dhe mosbesimin. Aq e vërtetë qe kjo, saqë vendimi i familjes për ta lënë çiftin presidencial të prehet në kështjellën mbi kodrën “Wavel” pas meshës së mbajtur në bazilikën e Shën Mërisë, ngjalli diskutime deri edhe protesta që kundërshtonin varrimin e tyre pranë prehjes së përhershme të mbretërve të Polonisë, pikërisht në Krakovë. Por përtej dhimbjes së madhe tashmë prej 2 javësh polakët janë gjendur edhe me pjesën më të madhe të zyrave më të larta shtetërore të boshatisura dhe rimëkëmbja do të nisi që këtu. Në atë aksident fatal humbën jetën si presidenti ashtu edhe kandidati i së majtës që do ta sfidonte në zgjedhjet presidenciale të tetorit. Tashmë të përcaktuara në qershor, zgjedhjet presidenciale do të jenë fillimi i plotësimit të boshllëku institucional në Poloni. Me sa duket bashkëthemeluesi i partisë Ligj dhe Drejtësi, vëllai binjak i të ndjerit President ka marrë postin në krye të Partisë dhe janë shtuar zërat që paralajmërojnë një kandidaturë të mundshme të tij për të marrë postin e presidentit. Sondazhet paraprake shohin Komorowskin( Kryetarin aktual të Parlamentit dhe Presidentin në detyrë) si fitues me rreth 55 % të votave ndaj 32% që i shkojnë Jeroslaw Kaczynskit. Gjithsesi është e vështirë të vlerësohet sondazhi në një periudhë të tillë kur polakët janë akoma nën shok dhe nuk e kanë realizuar akoma idenë se klasa e tyre politike do të rigjenerohet dhe rinovohet rrënjësisht. Por me sa duket morti nuk vika vetëm për të bërë keq. Menjëherë pas tragjedisë, u vu re solidariteti i gjithë botës përfshirë këtu edhe Rusinë shprehur me lëvizjet e Presidentit Medvedev dhe kryeministrit Putin deri në një mesazh televiziv drejtuar popullit polak duke iu gjendur pranë në këtë moment katastrofe. Pamjet e tij duke përqafuar Kryeministrin Donald Trusk bënë xhiron e ekraneve botërore. Më optimistët folën për një erë të re në marrëdhëniet ruso-polake, më afër bashkëpunimit dhe në funksion të forcimit të besimit reciprok. Të njëjtët zëra shpejtuan t’i tregonin BE-së vlerën e shtuar që do të kishte një afrim i tillë për të. Ka një perceptim që vlerëson se përmirësimi i marrëdhënieve ruso-polake do ta bënte BE-në të merrte frymë e “lehtësuar”. Roli i Polonisë brenda saj sa vjen dhe po shtohet dhe shkrirja e akullit do t’i shërbente më shumë shpresës për një politikë të jashtme unike të BE-së. Vlen për t’u përmendur se Polonia nën Presidentin Kaczynski pati ndërmarrë nismën “Partnershipi Lindor” duke përfshirë në një program të veçantë 4 ish- Republikën Sovjetike si Bjellorusia, Moldavia, Gjeorgjia dhe Azerbaxhiani. është e tepërt të komentojmë bezdinë që kjo nismë i solli Rusisë, e cila e etiketoi si një nisme në kundërshtim me interesat e saj. Tashmë duket se kursi do të ndryshojë, ose të paktën janë të shumtë ata që shpresojnë për një gjë të tillë si në BE edhe jashtë saj. Shenjat e një afrimi të mundshëm dhe të një “armëpushimi” me Rusinë po vijnë si nga Lindja ashtu edhe nga Perëndimi i Evropës. Kërkesa evropiane e kryesuar nga Gjermania për të bërë të mundur zhvendosjen e 200 bombave bërthamore të instaluara që prej periudhës së Luftës së Ftohtë nuk u pranua nga Sekretarja Clinton, por sinjali qe i qartë. Atij i shtohet edhe marrëveshja e nënshkruar mes Presidentit Medvedev dhe atij ukrainas të sapo zgjedhur Yanukovych për zgjatjen e prezencës së flotës ruse në Krime edhe për 25 vite të tjera, pakt ky që pritet të ratifikohet në një sesion të jashtëzakonshëm të Dumës ruse në datë 27 prill. Duket se bastionet e vendeve skeptike ndaj Rusisë po bien një nga një. Kësaj panorame romantike i shtohet edhe kërkesa tejet e papritur që i bëri Rusia batalioneve të forcave britanike, franceze, amerikane dhe polake për të marrë pjesë në paradën pompoze në Sheshin e Kuq më 9 Maj në përkujtimin e 65 –vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore si për t’i kujtuar atyre se nuk ka qenë fort e largët dita kur ishin të rreshtuar nga e njëjta anë e barrikadës.
Problemi i vetëm me këtë kor paqësor qëndron nëse ai do të dëgjohet nga polakët apo jo. Varet tashmë prej tyre të zgjedhin nëse duan të ndjekin një politikë ndryshe nga ajo që kish projektuar Kaczynski. Ai pati mbështetur fort ndërtimin e memories historike si pjesë të identitetit kombëtar duke i rezervuar një vend të veçantë masakrës së Katinit. Ajo shërbeu si një shkak antagonizmi, a mund të shërbejë ky aksident fatkeq për të kundërtën? Polakët do të mendohen para se të votojnë nëse duan një marrëdhënie më të mirë me vendin që përveç se i ka pushtuar herë pas here ushtarakisht e dhunuar shpirtërisht, i ka privuar tashmë për të dytën herë nga elita e tyre politike, ushtarake dhe intelektuale. Tashmë as flamurtarëve të pajtimit të përshpejtuar dhe as skeptikëve të pashërueshëm nuk u mbetet gjë tjetër veçse të presin, të presin deri sa polakët me dinjitet të vendosin për kursin e vendit të tyre të shënjuar nga një humbje e pazëvendësueshme. Por një gjë është e qartë: Katini tashmë i përket gjithë botës, jo vetëm Polonisë. Nga 10 prilli 2010 Katini mori përmasa globale bashkë me dyshimin se për sa të tillë as nuk e kemi idenë që ekzistojnë dhe nuk duhet të presim fatkeqësi të këtyre përmasave për t’i zbuluar dhe nderuar.
*Pedagoge në Universitetin e Tiranës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›