Ramizoshenca
Arian Galdini
Nëse do ta abstragonim për një çast moshën e shtetit shqiptar, duke e krahasuar atë me moshën e një njeriu, atëherë do të përpiqeshim modestiplotë të binim dakord së bashku për aq sa është e mundur, se që nga 1912 deri në vitin 1990, shteti shqiptar ka qenë në moshën e fëmijërisë së tij. Fillimisht, vështirë e kemi pasur të mësojmë të ecim, e më pas, herë rrezoheshim e herë na rrëzonin. Më të mëdhenjtë na keqtrajtonin lehtësisht, por edhe “Eterit” tanë sipas rastit, na kanë dhunuar pa pikën e mëshirës. Madje “Autoriteti i Dhunshëm” i atyre që kanë qenë në krye të Shtetit tonë të brishtë ka tejkaluar kufijtë e mizores gjatë 50 viteve të komunizmit ala Enver. Fëmijëri e traumatizuar dhe plot angushti kjo e shtetit shqiptar, apo jo? Sidoqoftë, viti 1990 ishte pika e kthesës. Shteti shqiptar kaloi në një fazë kur doli nga “Autoriteti i të Pamëshirshmëve”, dhe hyri në atë që mund ta quajmë “Mosha e Adoleshencës”. “Adoleshenca e Shtetit Shqiptar” dëshmonte e vazhdon të dëshmojë dhimbshëm deri në atë se ky shtet nuk mundet më të jetë as fëmijë dhe as i rritur. Si për ironi dhe koincidencë therëse, periudha e kalimit nga fëmijëria në adoleshencë pati në krye të shtetit shqiptar shokun Ramiz Alia, pasuesin e denjë, por aspak të njëllojtë të Enverit. Ky njeri e drejtoi shtetin shqiptar pikërisht në zgrip të epokave. Duart e tij u lidhën figurativisht zinxhir, nga duart e Enverit të vdekur te duart e “Udhëheqësisë së re” pas vitit 1990. Me dashje apo padashje, realisht apo thjesht për bukurinë e alegorisë sonë, Ramizi u bë pikëlidhja e “Babait që shkonte në Ferr” me “Udhëheqësit e rinj”, “Rilindasit Demokratikë”. Kësisoj mosha e re e shtetit shqiptar të pas vitit 1990, u shënjua, me hir apo me pahir nga sindromat e forta ramiziste. Adoleshenca e shtetit shqiptar mori një trajtë unike, sui generis, që mua më ka lindur dëshira ta pagëzoj si Ramizoshencë. U lidhën pra bashkë në këto vite pas 1990-ës, Adoleshenca e Shtetit Shqiptar, apo Ramizoshenca, me Tranzicionin. Kësisoj lehtësisht mundemi të biem dakord se nuk do t’ia mbërrijmë dot kurrë ditës për ta parë shtetin shqiptar të tejkalojë tranzicionin, pra të rritet dhe maturohet, nëse nuk do të gjejmë kurajon, mençurinë, energjitë për t’i dhënë fund dhe për t’iu shkëputur përfundimisht ramizoshencës. Luhatja në të gjithë strukturën e shtetit shqiptar dhe të shoqërisë është dhe do të mbetet për fatin tonë të keq, karakteristika themelore e periudhës së ramizoshencës, në të cilën jemi dhe po rrekemi të mbijetojmë. Ramizoshenca është e dukshme me të gjitha simptomat e saj në shtratin autoritar, në të cilin shtrihet simetrikisht politika shqiptare pothuajse në të gjitha strukturat dhe nënstrukturat e saj. Ramizoshenca demonstrohet në pafuqinë e elitave dhe mendjeve të mençura dhe të ndriçuara, për t’u përshfaqur guximshëm për të parathënë të vërtetat e nevojshme për t’u rritur. Ramizoshenca rrëfen vetveten në frymën që dominon ligjërimin publik, në shterpësinë e ideve, mbytjen e lirisë, gardhëzimin e shtetit, pronës, zhvillimit. Ramizoshenca lundron me forcë në ujërat që përmbysin të mirën dhe shpresën në Shqipëri. Ramizoshenca vret çdo ditë “ndërgjegjen qytetare”, duke i dhënë muskuj krahëve të fortë dhe të dhunshëm të modeleve “rebele”, “imorale e amorale”, “lakmitare”, “pushtetëruese”, “gënjeshtare”, “grabitqare”. Ramizoshenca ushqen bindjen duke asgjësuar zgjedhjen. Ramizoshenca lodron e vetkënaqur në hapësirat e “biznesit politik” apo “biznesit të të fortëve”, duke boksuar pamëshirë “inovacionin”, kreativitetin dhe biznesin e ndershëm. Me paratë e shumta të fituara lehtësisht, për shkak të kanaleve të fuqishme dhe të errëta që përdoren, ramizoshenca mbyt me kthetrat e saj mediat, hapësirat e komunikimit publik, duke e bërë memece shoqërinë shqiptare. Tirania e shpërfilljes, ku të gjithë kanë të drejtë të flasin, por nuk kanë të drejtë të dëgjohen, është doreza e boksit që përdoret në ramizoshencë për të na dhunuar pronën, drejtësinë, fjalën, shpirtin, karakterin, talentet, zotësinë, dinjitetin. Ramizoshenca nuk përputhet as me aspiratën tonë të gjithëligjëruar për Integrim Evropian. Evropianizimi i Shqipërisë fjalë për fjalë nënkupton “Rritjen”, “Maturimin e Shtetit Shqiptar”, d.m.th fundin e ramizoshencës. Andaj për sa kohë shtigjet tona të rritjes do të jenë të arrestuara nga ramizoshenca, për aq kohë Evropa do të jetë një “Përrallë Gjumëndjellëse”, që do të na lërë metonjes të padenjë që gënjehemi papushim nga “Penelopa Udhëheqëse”, të majta apo të djathta, që na e bëjnë ditën dhe zhbëjnë natën pëlhurën e shtetit, demokracisë, pronës, drejtësisë dhe lirisë sonë. E si mundet ramizoshenca të vetasimilohet, duke u bërë e sinqertë në aspiratën dhe përpjekjet për “Integrim Evropian”? çdo hap që bëhet drejt Evropës, ngase është i pasinqertë apo i detyruar, na hidhet si lak mbi qafat tona të brishta qytetare të etura për liri, duke na vendosur hallka dhe unaza të rënda kontrolli mbi rritjen tonë. është pikërisht kjo frymë kontrolli ndaj rritjes që tejzgjat ramizoshencën, tranzicionin dhe na zhvesh nga dinjiteti përballë Evropës, drejt të cilës “rendim e rendim elektoralisht”. Ramizoshenca jonë na ka bërë zevzekët dhe të pandreqshmit e Evropës. Pasaportat tona, biometrike apo jo, nëse do të jenë pasaporta të një shteti në ramizoshencë, edhe nëse mund të na japin vizat dhe lirinë e lëvizjes, nuk mundën kurrsesi të na japin dinjitetin. Të thëna të gjitha këto, e plot të tjera të pathëna në këto pak rreshta, na duhet të ngremë zërin jo vetëm fonetikisht, por më së pari arsyetivisht, logjikisht dhe argumentativisht, për të filluar ushtrimin tonë kombëtar për t’i dhënë fund me guxim ramizoshencës. Kjo është koha e dalezotsave, të cilët ia dalin mbanë të tejkalojnë kufizimet e kohës, moshës dhe mundësive. Unë e shënoj emrin tim pangurrim si Luftëtar të betejës për Dinjitet. Beteja për Dinjitet i ka të gjitha shanset dhe atributet për t’i dhënë fund këtij tranzicioni dhe ramizoshence rraskapitëse.
*Kryetar i LDE – Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë