PS zbarkon për inspektim mbi zonën e dëmtuar
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe një grup deputetësh socialistë janë nisur me urgjencë drejt vendngjarjes, pasi mësuan për lajmin tronditës të shpërthimit të një depoje në fshatin Gërdec, në afërsi të Vorës. Politika shqiptare, e majtë dhe e djathtë, ka lënë mënjanë akuzat për përgjegjësit e kësaj ngjarjeje dhe është fokusuar për të ndihmuar banorët e zonës së dëmtuar dhe atyre përreth. Kryetari i PS-së, Edi Rama, i shoqëruar nga deputetët Shpëtim Idrizi, Erion Braçe, Arben Isaraj, Andis Harasani e Blendi Klosi, i janë drejtuar Spitalit Ushtarak në Tiranë, për të parë nga afër gjendjen e të lënduarve nga kjo ngjarje e rëndë. Pranë Spitalit Ushtarak, pranë të plagosurve, kanë shkuar për vizitë edhe kreu i LSI-së, Ilir Meta dhe deputetë të tjerë. Shpërthimi tepër i fuqishëm, i cili është dëgjuar edhe në Tiranë e Durrës, ka shkaktuar shumë të plagosur në zonën e banuar në afërsi të depos ushtarake, ndërkohë ende nuk ka një konfirmim zyrtar për viktima.