E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria bën bilancin e të vdekurve dhe të plagosurve nga shpërthimi

Kryeministri Sali Berisha ka bërë në një konferencë për shtyp në orët e vona të mbrëmjes bilancin e tragjedisë në fshatin Gërdec, ku kanë humbur jetën 5 persona dhe janë plagosur 243 të tjerë. Sipas informacioneve zyrtare të Kryeministrit, tre prej viktimave janë identifikuar, ndërsa nuk bëhet i ditur identiteti i dy të tjerëve. Mes të vdekurve janë Jetmir Pasholli, 19 vjeç, Muhamet Hoxha, 59 vjeç dhe Rajmonda Mehdi Durda, 40 vjeç. Kreu i Ekzekutivit ka bërë me dije se janë evakuar 4 mijë banorë në katër fshatra të zonës ku ka ndodhur shpërthimi. Mes banorëve, të cilët tashmë janë të larguar nga shtëpitë e tyre dhe janë akomoduar në Shtëpinë e Pushimit të Ushtrisë në Durrës, dhe në Qytetin Studenti në Tiranë dhe nëpër hotele të ndryshme, janë 243 të plagosur, ku përfshihen banorët e zonës së bashku me punonjës të fabrikës, të cilët kanë pasur plagë të ndryshme. "Disa prej tyre kanë qenë banorë fshatrash dhe të tjerë pasagjerë të automjeteve që udhëtonin në autostradë, por edhe punonjës të fabrikës", u shpreh Berisha, duke bërë bilancin e kësaj tragjedie të hidhur.

Shtabi i emergjencës, forcat e ushtrisë, forcat e ndërhyrjes së shpejtë, kanë bërë të gjitha përpjekje që t‘i afrohen zonës në afërsinë më të madhe dhe kanë arritur të depërtojnë gjer në zonat më të thella periferike të saj. "Janë evakuuar një numër i madh fshatarësh të Gërdecit, punonjës të fabrikës që ishin larguar në intervalin midis shpërthimit të parë dhe të dytë. Janë tërhequr brenda zonës së zjarrit të djegieve dhe shpërthimeve edhe 4 kufoma të viktimave të punonjësve të kësaj fabrike", tha ai. Duke i bërë një panoramë situatës, Berisha theksoi se Ministria e Shëndetësisë ka organizuar me shpejtësi të gjithë potencialin e urgjencave të Tiranës, qendrës "Nënë Tereza", Spitalit të Durrësit, sikundër kanë ardhur në vendin e ngjarjes të gjitha zjarrfikëset e Tiranës dhe vendeve të tjera, autoambulancat. Vetëm 10 helikopterë janë vendosur në dispozicion nga Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Shëndetësisë. "Bilanci është gjer tani i hidhur. "Kjo ngjarje, ashtu si çdo ngjarje tjetër, do t‘i nënshtrohet një hetimi të plotë. Do të ngarkohen të gjitha përgjegjësitë, por një gjë është e sigurtë që ministri Mediu ka pasur një detyrë në këtë proces, transportin e municionit në zonën e zbërthimit, nuk ka pasur asnjë tagër tjetër në procesin e zbërthimit. Ky proces ka qenë privat dhe pa asnjë lloj ndërhyrjeje të Ministrisë së Mbrojtjes". Ky është argumenti që ka dhënë lideri i së djathtës, Sali Berisha, duke i dalë në mbrojtje në këtë mënyrë, aleatit të tij më besnik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›