Toka bujqësore, Mima: Të ardhurat e qirasë të tatohen
nertila maho
Të ardhurat nga qiraja e tokës bujqësore së pashfrytëzuar, që do t’i shkojnë pronarit të saj, duhet të tatohen. Ky ka qenë propozimi i deputetit Florion Mima, dje gjatë diskutimit të projektligjit “Për përdorimin dhe shfrytëzimin e tokave bujqësore të pakultivuara” në Komisionin për Ekonominë dhe Financat. Sikundër përcakton projektligji, toka do të jepet me qira përmes procesit të ankandit. Nga të ardhurat e qirasë, 80% e shumës do t’i shkojë pronarit të saj, ndërkohë që 20% e tyre do t’i shkojnë komunave për shpenzimet e tyre. “Krahas taksës për tokën bujqësore, mendoj të zbatohet edhe tatimi mbi të ardhurat sepse pronari i merr këto të ardhura pa asnjë punë, duke qenë se tokën nuk e shfrytëzonte dhe rrjedhimisht nuk përfitonte gjë”, u shpreh deputeti Mima. Ndërsa kryetari i komisionit, Edmond Spaho u shpreh për alternativën që taksën e tokës bujqësore ta paguajë zotëruesi i saj dhe jo qiramarrësi, por në asnjë rast nuk duhet shkelur e drejta e pronës. Drejtori i Përgjithshëm i Burimeve pranë Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Irfan Tarelli, sqaroi para komisionit se ky projektligj përcakton qartë objektivin që ka dhe nuk prek të drejtën e pronës, përkundrazi e rregullon atë. Sipas Tarellit, në vendin tonë nga totali i sipërfaqes së tokës bujqësore, rreth 560 hektarë, ose 80% janë në pronësi private dhe rreth 138 mijë hektarë, ose 20%, janë në pronësi shtetërore. “Vitet e fundit është vërejtur se rreth 50 mijë hektarë tokë bujqësore, kryesisht e shtrirë në zonën e ulët të vendit, nuk shfrytëzohet, për shkak të faktorëve të ndryshëm socialë ekonomike”, vuri në dukje Tarrelli. Sipas tij, dhënia me qira e tokës përmes ndërmjetësimit të organeve të pushtetit lokal, që parashikohet në projektligj, krahas masave të tjera të marra nga shteti për nxitjen e kultivimit të tokës, si taksa e diferencuar, programe mbështetëse, pritet të shërbejë edhe si një mënyrë për të parandaluar tjetërsimin apo braktisjen deri në degradim të tokës bujqësore. Ndërkohë që vlerësimin e tokës për të vendosur çmimin dysheme të saj do ta bëjnë komisione të veçanta të komunave apo bashkive përkatëse, duke lënë më pas ankandin të përcaktojë çmimin e fundit. Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Bujqësisë do të synohet që kontratat e qirasë të kenë një afat 5-vjeçar, pas kësaj pronari ka të drejtë ta japë vetë me qira ose ta punojë. Komisioni në fund miratoi në unanimitet projektligjin.