E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seks-skandali shqiptar kthehet në telenovelë

Pas shkarkimit të ministrit të Kulturës, për shkak të një videoje seksi që e paraqiste atë duke kërkuar favore seksuale nga dy vajza të reja në këmbim të një vendi pune në ministrinë e tij, shqiptarët u ngulën para televizorëve gjatë gjithë ditës së enjte, ndërsa telenovela vijoi të zhvillohej para syve të tyre.

Teleshikuesit nga i gjithë vendi dërguan mijëra mesazhe tekst nga celularët e tyre drejt televizioneve dhe radiove, duke shprehur atë që kishin ndjerë, nga neveria deri te humori, ndërsa në qarqet politike shqiptare skandali u përdor për ndërsyrje të gjithanshme akuzash dhe kundër akuzash.

Megjithatë, ministri i turpëruar u shfaq në një emision televiziv natën vonë, ku pranoi se kaseta qe e vërtetë, por u përpoq të jepte edhe variantin e tij për ngjarjen, duke thënë se episodi qe sajuar dhe "fabrikuar nga media".

Ylli Pango u shkarkua të mërkurën, pasi videoja u transmetua në programin investigativ "Fiks Fare" në "Top Channel". Pango caktoi takime në vilën e tij private në Tiranë, ku i kërkoi një vajze - e cila qe gazetare e fshehtë - të hiqte rrobat.

Në video dëgjohet Pango, i cili kërkon me ngulm nga vajza të heqë këmishën dhe të ekspozohet me bikini, në mënyrë që ai të vlerësojë nëse ajo është personi i duhur për punën. Pango, një profesor psikologjie 56-vjeçar, i premtoi se do ta punësonte nëse ajo tregohej "e guximshme" dhe se së bashku do të udhëtonin nëpër botë për panaire turistike. Pak minuta pas emisionit, Kryeministri Sali Berisha lëshoi një deklaratë ku njoftonte pushimin e tij nga puna.

Gjatë një emisioni në TV Klan, në mesnatën e së enjtes, Pango u turr të tregonte versionin e tij të ngjarjes. Ai pretendoi se nuk pati kërkuar kurrë seks nga gazetarja e fshehtë, por i pati kërkuar asaj të zhvishej, në mënyrë që të shihte trupin e saj, për shkak se njëherë ata qenë takuar në një emision televiziv dhe se ajo qe dobësuar. "I kërkova ta shoh me kostum banjoje, sepse është e zakonshme që në panaire nëpër botë të shfaqesh me kostum banjoje", tha Pango.

"Ajo qe shumë inteligjente dhe provokative, pra më duhet t‘ju them se qe e vështirë për çdokënd t‘i rezistonte", shtoi ai.

Pango akuzoi redaktorët e programit që transmetuan kasetën se kishin prerë pjesë të bisedës, në mënyrë që të ndryshonin përmbajtjen. Ai pranoi se pjesa e transmetuar qe e vërtetë. Pango akuzoi redaktorët e "Fiks Fare" se i patën kërkuar para përmes avokatit Genc Gjokutaj që ai pati ngarkuar për të "hetuar" çështjen.

Gjatë intervistës, avokati mori në telefon dhe mohoi të ketë negociuar për llogari të ministrit dhe tha se qe takuar me redaktorët thjesht për miqësi. "Gjatë takimit nuk u fol fare për kasetën", tha Gjokutaj.

Në Parlament, deputetët folën me neveri dhe indinjatë për sjelljen e ministrit dhe bënë thirrje për dënimin e tij. Opozita socialiste kërkoi hetime dhe akuzoi mazhorancën e qendrës së djathtë të udhëhequr nga Kryeministri Sali Berisha se po e çonin vendin nga një skandal te tjetri. Opozita thotë se Berisha është përgjegjës për emërimin e Pangos, për shkak se thashetheme mbi sjelljen e tij qarkullonin prej vitesh.

Kritika kundër Kryeministrit erdhën edhe nga radhët e veta. Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, bëri thirrje për riformatimin e të gjithë qeverisë.

Berisha, i cili zakonisht është shumë i zhurmshëm, nuk u pa në publik gjatë të enjtes, bile anuloi edhe mbledhjen e qeverisë. Në mesditë, zyra e tij e shtypit njoftoi emrin e ri të ministrit të Kulturës, z. Ardian Turku, i cili është gjithashtu një profesor psikologjie.

Prokurorët sekuestruan të enjten kasetën dhe hapën hetime për një çështje që mund të sjellë akuza penale për Pangon. Sipas disa ekspertëve ligjorë, z.Pango mund të akuzohet për ngacmime seksuale në punë, gjë që dënohet deri me tre vjet burg. Të tjerë mendojnë se Pango mund të akuzohet edhe për korrupsion, për shkak se kërkoi seks si ryshfet në këmbim të një vendi pune.

Berisha u kthye në pushtet në Tiranë më 2005, me një platformë mbi "duart e pastra", duke premtuar luftimin e korrupsionit që pati pllakosur vendin që nga rënia e komunizmit. Por kundërshtarët thonë se korrupsioni thjesht sa është shumëfishuar.

Nëse kundër Pangos ngrihen akuza, atëherë do të bëhen tre ministrat që përballen me prokurorinë. Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu u akuzua për abuzim me pushtetin pas shpërthimit të një depoje ushtarake që vrau 26 vetë dhe plagosi 300 të tjerë një vit më parë, ndërsa la mbi 3 mijë të tjerë të pastrehë.

Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, akuzohet se ka abuzuar me pushtetin dhe ka thyer rregullat e tenderimit mbi ndërtimin e autostradës që do të lidhë bregun shqiptar të Adriatikut me Kosovën, për të cilën ekspertët thonë se ka shkaktuar 230 milionë euro humbje.

Berisha ka mbrojtur vazhdimisht të akuzuarit dhe ka sulmuar ashpër prokurorët, opozitën dhe median. Sipas tij, ata janë ziliqarë nga sukseset e tij.

Gjithsesi, sipas shumë ekspertëve, skandali i fundit i seksit do të jetë vështirë për t‘u gëlltitur nga Kryeministri konservator, pasi kjo ndodhi vetëm tre muaj para zgjedhjeve, ndërsa ai e ka krijuar imazhin e tij mbi standarde morale, shpesh duke akuzuar kundërshtarët si devijantë seksualë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›