E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori Uisner takon Berishën dhe Topallin, interesohet për zgjedhjet e qershorit



I dërguari special i Departamentit të Shtetit në Kosovë, ambasadori Frank Uisner, është takuar dje në Tiranë me kryeministrin Sali Berisha dhe me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Gjatë këtyre takimeve Uisner i ka uruar politikanët shqiptarë për anëtarësimin në NATO dhe është interesuar për procesin zgjedhor të 28 qershorit. Topalli është shprehur se zgjedhjet do ta ndajnë Shqipërinë nga e kaluara e proceseve zgjedhore. “Prioriteti ynë kryesor është që Shqipëria të ketë zgjedhjet më të mira, me një infrastrukturë moderne zgjedhore dhe me vullnetin tonë të fortë që këto zgjedhje të jenë plotësisht të standardeve europiane”, - është shprehur Topalli. “Jemi të gjithë të lumtur që Shqipëria u anëtarësua në NATO dhe bashkëpunimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë do të jetë shumë më i fortë dhe më intensiv”, - është shprehur Frank Uisner. “Dua t’ju falënderoj ju, qeverinë dhe të gjithë shqiptarët për rolin e Shqipërisë në pavarësinë e Kosovës”, - tha ai. “Influenca e vendit tuaj i ka shërbyer fort stabilitetit të Ballkanit. Ne kemi nevojë për ju, Ballkani ka nevojë për paqe të qëndrueshme dhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO do të këtë influencë në të gjithë rajonin ballkanik”, - ka vazhduar më tej ai.
Ndërsa kryeministri Berisha e falënderoi përzemërsisht ambasadorin Uisner për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, profesionalizmin dhe përkushtimin e tij si i dërguar i posaçëm i Departamentit Amerikan të Shtetit në bisedimet për statusin final të Kosovës në vitet 2007-2008. “Shqiptarët do t'ju mbeten përjetë mirënjohës ju, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe presidentëve amerikanë për kontributin dhe përkushtimin ndaj çështjes së tyre të drejtë, që bëri të mundur shpalljen e pavarësisë se Kosovës më 17 shkurt të vitit të kaluar”, - u shpreh kryeministri Berisha. Ndërsa ambasadori Uisner u shpreh se “si amerikan ndihem jashtëzakonisht krenar që Shqipëria është anëtare e plotë e NATO-s”.

15 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›