E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata Administrative, thyhet maxhoranca, pranohen propozimet e PS-së



Komisioni Parlamentar i Ligjeve ka rinisur dje diskutimin mbi projektligjin për ngritjen e gjykatave administrative, pas një shtyrjeje 7-mujore. Më në fund deputetët e PD-së dhe ministri i Drejtësisë, Alibeaj, kanë rënë dakord për të pranuar propozimet e Partisë Socialiste për të siguruar votat e tyre në Kuvend. “Ky është një ligj i cili kërkon që të vendosë para gjykatës vendimet e administratës”, - është shprehur Alibeaj. Gjatë mbledhjes së djeshme deputetët miratuan me konsensus 3 nenet e para të ligjit, ndërkohë që nuk ranë dakord për Nenin 4. Ky nen parashikon që Gjykata Administrative ta ketë qendrën në Tiranë dhe në rrethe të funksionojë në bazë të seksioneve. Por ky formulim, sipas Ministrisë së Drejtësisë, nuk pranohet nga socialistët, që mendojnë se seksionet, për shkak se drejtohen nga 2 ose 3 persona, janë më të kontrollueshëm nga ministri i Drejtësisë sesa një gjykatë e plotë me të gjithë funksionarët e saj. “Seksionet e kësaj gjykate do të jenë të shpërndara në qendrat ku janë gjykatat e apeleve sot, do të kenë gjyqtarët e tyre, do të kenë stafin e tyre administrativ. Në qoftë se do të kishim gjykata të shkallës së parë në Shkodër dhe një gjykatë të shkallës së parë në Gjirokastër, zgjidhjet që do të jepte njëra apo tjetra gjykatë do të ishin të ndryshme dhe do të mund të gjenin unifikimin e tyre në Apel. Ne nuk e kemi luksin të ngremë gjykata administrative në çdo rreth gjyqësor”, - është shprehur Alibeaj. Ndërsa Xhafaj u shpreh se shpërndarja e gjykatës në këtë lloj mënyre do të dëmtojë punën e saj. “Në rast se do të kishim një organizim të tillë, do të kishim një dëmtim të punës në gjykata, pasi evitohet përgjegjësia dhe kontrolli ndaj gjyqtarëve dhe kryesorja, nuk sjell ndonjë eksperiencë të re. Eksperienca me seksione nuk ka rezultuar pozitive në realitetin shqiptar. Kjo e komplikon akoma më keq përvojën që kemi sot, jo më të krijojmë një varësi të tillë të çuditshme”, - është shprehur Xhafaj.
Deputetët e Komisionit të Ligjeve ranë dakord që ky nen të negociohej nga ekspertët e të dyja palëve dhe të diskutohej sërish në mbledhjen e Komisionit.

e

15 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›